Arsen Sykaj; Ndeshja ndaj Skënderbeut, njëra nga finalet tona

Shtyp

Vllaznia është skuadra që ka pësuar më pak gola në pesë javët e deritanishme të kampionatit. Vetëm dy të tillë. Arsen Sykaj, një nga pjestarët e repartit të mbrojtjes së kësaj skuadre, ndjehet mirë me këtë gjë por nuk ka dëshirë të marrë “elozhe”. Duke folur në lidhje me këtë çështje, ai ka thënë: “Duke qenë pjestar I kësaj skuadre sigurisht që ndjehem mirë me këtë ecuri që kemi patur deri tani. Kemi pësuar vetëm dy gola dhe ky është fakt, çka tregon se jemi në rrugë të mbarë. Natyrisht që nuk mund t’I marrim meritat vetëm ne mbrojtësit apo dhe portieri. Meritë ka e gjithë skuadra e cila ka luajtur në bllok si në mbrojtje  ashtu edhe në sulm. Uroj që të vazhdojmë kështu duke shënuar shumë dhe duke pësuar sa më pak”. Ecuria e këtij futbollisti ka patur ecejaket e veta. Ka filluar karrierën me ekipin e Vllaznisë por duke mos gjetur shumë hapësirë ka luajtur për Tërbunin e Pukës në kategorinë e parë. Për t’u rikthyer sërish në Shkodër ku luan edhe dy sezone të tjera me Vllazninë ndërsa një sezon më parë nuk preferohet shumë nga Shpëtim Duro dhe prandaj lihet I lirë. Lojtari zgjedh Kastriotin për të luajtur ndërkohë që këtë sezon është kthyer sërish në “Loro Boriçi”. Bashkë me të është kthyer po pas dy sezonesh edhe mbrojtjësi malazez Blazho Rajoviç dhe të dy sëbashku ato kanë formuar një dyshe shumë interesante në qendër të mbrojtjes. Vetë Sykaj flet me superlativa për malazezin kur thotë: “E njohim mjaft mirë lojën e njëri- tjetrit edhe ngaqë kemi luajtur para tre sezonesh sëbashku. Të flas unë për vlerat e Rajoviç është e kotë sepse ato duhen por më duhet të them se ndjehem mjaft mirë në krah të tij. Ajo çfarë ne premtojmë është që të bëjmë më të mirën për Vllazninë në çdo ndeshje”. Në të pesë ndeshjet e zhvilluara deri më tani, Sykaj ka qenë në fushë për 90 minuta duke dhënë më të mirën e tij. Megjithatë vetë ai e ka një “peng” të cilën e thotë vetë: “Ajo çfarë më ka mbetur në mend mua por edhe shokëve të ekipitm është sigurisht  ndeshja e parë e kampionatit, ajo që humbëm në Shkodër me Flamurtarin. Nuk ka qenë ndeshje për t’u humbur por përveç kësaj, edhe ne nuk kemi qenë në ditën tonë më të mirë”. Deklarata e tij është e qartë megjithatë më pas gjërat kanë ardhur duke u rregulluar. Te fitoret e arritura dhe barazimi me Lushnjën, e kanë vënë Vllazninë në një pozicion komod në renditje aktualisht. I pyetur se cili është kyçi I suksesit për këtë skuadër deri tani, mbrojtësi Arsen Sykaj do të shprehej: “Kyçi I suksesit është kolektiviteti. Tek Vllaznia ka një harmoni për t’u marrë shembull dhe prej kësaj mendoj se kemi patur edhe këto rezultate deri tani”. Por çfarë ka kaluar deri tani natyrisht që I përket të shkuarës. E rëndësishme është se çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Më së shumti në ndeshjen e së enjtes me Skënderbeun. I pyetur në lidhje me këtë ndeshje, Sykaj do të shprehej: “Ndeshjen me Skënderbeun jemi duke e vlerësuar maksimalisht, madje ne e konsiderojmë një finale. Jo një finale të idesë se fitojmë këtë ndeshje dhe gjithçka mbyllet për ne. Vllaznia çdo ndeshje të rradhës e konsideron një finale dhe e tillë është edhe kjo e së enjtes me skuadrën kampione në fuqi. Ne po përgatitemi për ta kaluar me sukses edhe këtë sfidë megjithatë t’ia lëmë fushës më mirë se çfarë do ndodhë”. Entuziasmi në kampin shkodran ekziston megjithatë nganjëherë entuziasmi nuk është gjithçka prandaj duhet pritur deri të enjten.

Joomla Templates and Joomla Extensions by JoomlaVision.Com