Sinani: Vllaznia kap vendin e dytë. Kjo ecuri falë Canajt dhe Grimës

Shtyp

Vioresin Sinani, ish-kapiteni dhe gole adori më i mirë në gjithë historinë e deritanishme të kampionateve shqiptare, është optimist se kjo Vllazni mund të jetë pretendente deri në fund në këtë sezon. Sipas tij, Vllaznia e këtij edicioni deri më tani ka bindur çdo skeptik. Në një intervistë për gazeten, ish-kapiteni i Vllaznisë, Vioresin Sinani, ka treguar se ka qenë ndër të parët që ka besuar te kjo skuadër, ndërsa ka vlerësuar me nota pozitive paraqitjen e kroatit të sulmit, Tomislav Bushiç.

 

Sinani, besoj se e keni ndjekur në këtë sezon Vllazninë…
Po, pa diskutim e kam ndjekur Vllazninë në çdo takim të këtij sezoni. Unë jam larguar nga futbolli i luajtur edhe si trajner i Vllaznisë, por nga kjo skuadër nuk mund të largohem asnjëherë. Me këtë emër kam rritur shtatin dhe jam i lidhur përjetësisht me të.
Ju ka shkuar ndër mend se pas këtyre 9 javëve, Vllaznia e nisur me aq peripeci mund të ishte në vendin e tretë?
Shumëkujt mund edhe t’i duket habi, nëse unë them se besoja se kjo Vllazni do të ishte një ndër ekipet elitare të këtij sezoni. Kam qenë i tillë, pasi në këtë ekip dhe në këtë klub është punuar shumë. Me të vërtetë puna filloi me vonesë, por gjithçka u rikuperua në mënyrën më të mirë të mundshme. Për më tepër tani po e përforcoj atë besim timin.
Sipas jush, meritë e kujt është?
Pa diskutim që është e të gjithë stafit të klubit, por merita më e madhe është e teknikut Agim Canaj dhe drejtorit sportiv Armir Grima. Mendoj se është një dyshe perfekte, që ka meritën kryesore në gjithë këtë ecuri të deritanishme të ekipit tonë. Një menaxhim mjaft i mirë dhe rezultativ nga ana e tyre, kanë bërë që gjërat të shkojnë në rrugën e duhur.
Një Vllazni me shkodranë, ka pjesë në këtë sukses të deritanishëm?
Nuk dua të tregohem shumë lokalist, edhe pse njihem për një gjë të tillë. Mirëpo, në futboll ndodh ndryshe. E kam thënë edhe herë të tjera, një Vllazni që ka më shumë shkodranë dhe ka afrime cilësore që bëjnë diferencën, do të jetë përherë ndër skuadrat elitare dhe konkurruese. E tillë është Vllaznia e këtij sezoni. Ka një grup të mirë lojtarësh shkodranë dhe afrimet kanë qenë tejet cilësore.
Si e shikoni Vllazninë në fund të këtij sezoni?
Unë mund të them pa frikë, me atë që kam parë deri më tani nga të gjithë skuadrat me përjashtim të Skënderbeut, se Vllaznia është ekipi më i mirë. Nuk mund të them se ku mund të jetë në fund të këtij sezoni, por për një gjë jam i bindur: nëse kuqeblutë vijojnë të luajnë në këtë mënyrë, nuk kanë frikë, nuk ka pse të mos kërkojnë të jenë edhe më lart në fund të këtij sezoni. Vllaznia është një emër i madh dhe këtë emër të madh këta lojtarë dhe drejtuesit po bëjnë maksimumin që ta ngjisin aty ku edhe u takon.
A mendoni se kjo Vllazni në këtë sezon ka rregulluar shumë në vijën e sulmit, aty ku edhe ju e keni pasur më shumë për zemër…
Është e vërtetë, Vllaznia ka treguar këtë sezon se është mirë, madje shumë mirë në ofensivë. Në 9 javë kampionat, ekipi shënon 15 gola, gjë që tregon forcën e saj në sulm. Vllaznia është tepër efikase, prodhon raste, shpërdoron, por shënon shumë. Kjo pa dyshim të ngroh dhe të bën optimist për të ardhmen.
Së fundmi, mendoni se Vllaznia në këtë sezon ka gjetur përsëri Sinanin, bëhet fjalë për kroatin Bushiç?
Ai është një lojtar shumë i mirë dhe ka treguar se ka vlera të mëdha. Bushiç, ashtu si dhe Vujadinoviç dhe Rajoviç, janë pikërisht ato që unë thashë në fillim: afrimet e duhura dhe cilësore, që ndihmojnë një skuadër që ka kualitete të tjera për të ecur më përpara. Bushiç po tregon se është një nga futbollistët e duhur për sulmin. Një goleador i shkëlqyer, por edhe një pasues i aftë për shokët.

*Marrë nga gazeta "Panorama Sport"

Joomla Templates and Joomla Extensions by JoomlaVision.Com