Suad Lici: Skuadra duhet lënë të punojë e qetë, pa presion

Shtyp

Deri para dy sezonesh ka qenë pjesë e kuqebluve ndërsa tani merret me një aktivitet privat. Ish- mbrojtësi i majtë i Vllaznisë, Suad Lici gjithsesi nuk heq dorë nga ndjekja e skuadrës së tij të zemrës. E ka bërë këtë gjë edhe në ndeshjet e këtij kampionati dhe natyrisht që është i kënaqur me mënyrën si kanë shkuar gjërat. "Nisur nga problematika që e shoqëroi skuadrën me fillimin vonë të stërvitjes dhe me shumë gjëra të tjera, Vllaznia ka arritur të bëjë gjëra të mira deri tani. Mbase mund të kishte edhe ndonjë pikë më tepër në renditje megjithatë duhet të jemi të kënaqur me vendin që ajo ka. E rëndësishme është që ajo të lihet e qetë në punën e saj, të mos jetë në presion dhe duke vepruar në këtë mënyrë, skuadra duhet të bëjë gjëra të mira edhe në të ardhmen"-ka thënë lojtari që për vite me rradhë ka mbajtur fanellën me numrin 3. Trajneri aktual i kuqebluve është Agim Canaj dhe Lici ka punuar me të vite më parë prandaj dhe e njeh mirë mënyrën e tij të punës. Vetë ai e vlerëson si blerjen më të mirë të Vllaznisë, atë të trajnerit. "Me Canajn është bërë zgjedhja e duhur. Ka merita të mëdha në ndërtimin e kësaj skuadre dhe për më tepër njihet si njeri shumë serioz, kërkues dhe mbi të gjitha i ndershëm. Mesa di unë, ai ka firmosur për një vit me Vllazninë por të isha në vendin e kryebashkiakut Luka, do të kisha firmosur për tre vite me këtë trajner në mënyrë që atij t'i lihet kohë në dispozicion për të punuar ashtu si duhet". Ekipi sivjet po bën një paraqitje shumë të mirë dhe për më tepër, për ndërtimin e tij nuk është se janë shpenzuar shumë lekë. Kjo është e veçanta e kësaj skuadre e cila përbëhet thuajse tërësisht nga futbollist shkodranë. Këtë gjë e evidenton edhe Lici kur shprehet: "Drejtuesit e klubit kanë gjetur strategjinë e duhur duke kthyer në skuadër disa futbollistë shkodranë dhe duke marrë dy apo tre të huaj që janë cilësorë. Me këtë kontigjent dhe me këtë harmoni që ekziston në skuadër, mund të bëhen gjëra të mira. Sigurisht që u kënaqëm nga fitorja e fundit me Partizanin por duhet parë me shumë kujdes ndeshja e ardhshme me Bylisin. Nuk duhet të fluturojmë, përkundrazi të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe ta vlerësojmë seriozisht çdo ndeshje".
© vllaznia.al

Joomla Templates and Joomla Extensions by JoomlaVision.Com