Prezantohet Canaj: Vllaznia, një perlë e futbollit shqiptar. S’i thoja dot “jo” asaj

710

Trajneri i ri i Vllaznisë Agim Canaj vetëm pak orë pas emërimit në këtë detyrë, ka nisur menjëherë punën me ekipin. Përpara zhvillimit të seancës së parë stërvitore me të, ai është prezantuar para futbollistëve dhe stafit teknik nga ana e administratorit të klubit, z. Suad Lici. Ky i fundit u ka kërkuar pjestarëve të skuadrës të vazhdojnë të stërviten dhe të luajnë me të njëjtën dëshirë deri në fund të sezonit, në mënyrë që arritja e objektivit të mos vihet në dyshim. Më pas ka qenë vetë trajneri Canaj që ka dhënë një prononcim për mediat:

-Profesor, jeni për herë të tretë tashmë në krye të Vllaznisë…
-Kjo është një dëshirë e kahershme e imja. Asnjëherë nuk i kam thënë “jo” Vllaznisë, sa herë që ajo ka pasë nevojë për mua dhe mendoj se Shkodra është një nga qytetet ku unë jam ndjerë shumë mirë si trajner, edhe në marëdhëniet me njerëzit. Kështu që, pse jo edhe kësaj rradhe e pranova pa kushte në aspektin profesional, jo nga situata ku ndodhet Vllaznia sepse e kam marrë atë në dy situata më ndryshme, njëherë për kampion dhe herën tjetër në një situatë më të vështirë. Tashmë është një moment që skuadra duhet të konsolidohet sepse Vllaznia nuk e meriton të luajë në këtë kategori sepse është një perlë e futbollit shqiptar dhe pa të Superiorja ka ndalur frymën.

-Me kontigjentin që ka skuadra aktualisht, do arrihet objektivi?
-Në fjalët e para që u thashë lojtarëve u bëra të qartë se asgjë nuk është arritur dhe ajo që është më kryesorja edhe pas këtij pushimi të kampionatit, nuk duhet të mendojmë se gjërat kanë mbaruar. Unë marr një punë të lënë nga miku im Hasan Lika që ka bërë një punë të shkëlqyer por na duhet ende shumë punë. Çdo gjë arrihet me punë dhe unë jam i gatshëm të vë në dispozicion gjithë përvojën time, për të arritur objektivin kryesor, daljen në Superligë

-Ke komunikuar me Hasan Likën?
-Kam komunikuar dje me Hasan Likën, sepse dje u konkretizua edhe marrëveshja ime me Vllazninë. Më priti me shumë kënaqësi, folëm gjatë sepse nesër ai niset për Amerikë. Në fakt edhe më përpara kam folur me Hasanin sepse unë e kam mik prej shumë kohësh, që në fillesat tona si futbollistë së pari, e më pas edhe si trajnerë. Fjala e parë që unë u thashë lojtarëve ishte ajo se asgjë nuk është arritur. Unë marr një punë të lënë në mes nga miku im dhe një trajner shumë i mirë siç është Lika i cili ka bërë një punë të shkëlqyer me këtë ekip dhe duhet ta çojmë deri në fund atë”.

-E ke ndjekur Vllaznia gjatë këtij sezoni?
-E kam ndjekur në disa ndeshje dhe kam fatin e mirë se në skuadër kam disa futbollistë të cilët i kam patur edhe dy herët e kaluara kur kam drejtuar Vllazninë. Do kem edhe mbështetjen e drejtuesve që kanë bërë një punë shumë të mirë dhe mendoj se sëbashku do të arrijmë objektivin tonë, fillimisht për t’u ngjitur në Superligë dhe më pas, për të arritur edhe pikën kulmore, fitimin e kupës.

-Do mendoni edhe për Vllazninë e sezonit të ardhshëm?
-Unë kam ardhur në këto momente për të vazhduar punën e lënë përgjysëm. Në të ardhmen do të bisedojmë për të gjitha situatat dhe për të ardhmen e ekipit.

-Jeni këtu për një plan afatgjatë?
-Shpresoj.

-Diçka pozitive që gjeni si drejtues Suad Licin, një emër të njohur për ju ngaqë e keni patur sportist?
-Di të them se Lici deri më tani ka bërë një punë shumë të mirë sepse vetë rezultatet e tregojnë këtë gjë. Shpresojmë që gjërat në të ardhmen të jenë edhe më mirë për Vllazninë, qoftë Agim Canaj trajneri apo dikush tjetër.
© vllaznia.al