Dy fitore për ekipet e Akademisë Vllaznia në javën e 25-të

175

Dy fitore kanë arritur ekipet e Akademisë Vllaznisë në javën e 25-të të kampionateve.Kështu 19 vjeçarët kanë pritur në Shkodër Tiranën të cilën e kanë mundur me rezultatin e pastër 3-0 ndërsa 17 vjeçarët kanë fituar në transfertë 2-1 me Shënkollin.
Sa i takon ndeshjes së të rinjve, kuqeblutë e drejtuar nga Luan Zmijani e kanë dominuar ndeshjen ndaj Tiranës në të gjitha drejtimet. Pjesa e parë e takimit, pavarësisht rasteve të krijuara, nuk ka dhuruar gol. Krejt ndryshe e dyta. Që në minutën e 48-të Vllaznia U19 ka kaluar në avantazh. Ajo ka fituar një 11-metërsh që është kthyer në gol nag Akileu Ndreca. Në minutën e 75-të ndërkohë ka qenë mesfushori Samuel Asllani i cili ka shënuar golin e dytë për kuqeblutë ndërsa për të mbyllur ndeshjen ka menduar sulmuesi Eridon Qardaku i cili ka shënuar golin e tretë në minutën e 84-të. Me këtë fitore, Vllaznia U19 vazhdon të ruajë kreun e renditjes, tashmë në kuotën e 62 pikëve, tre më shumë se Shkëndia e vendit të dytë, kur kanë mbetur edhe dy javë deri në përfundim të fazës së tretë të kampionatit.
Ndërkohë në Shënkoll, Vllaznia U17 ka fituar 2-1 ndaj vendasve. Ka qenë mesfushori Arjet Bizi protagonisti kryesor i këtij suksesi për Vllaznia U17. Ai ka shënuar dy gola shumë të shpejtë, të parin në minutën e 5-të ndërsa të dytin shtatë minuta më vonë dhe pjesa e parë do të mbyllej me këto dy gola.Në fillimin e pjesës së dytë do të ishte Mataliaj që në minutën e 50-të do të ngushtonte shifrat për ekipin e Shënkollit dhe më pas, pavarësisht përpjekjeve të vendasve nuk do të kishte gola të tjerë.Përfundimisht Vllaznia U17 fiton 2-1.
© vllaznia.al