Akademia Vllaznia, dy fitore në ndeshjet e javës së parë të fazës së tretë

561

Java e parë e fazës së tretë të kampionatit ka qenë e mbarë për ekipet e Akademisë Vllaznia. Si ekipi U19 ashtu edhe ai U17 i kanë fituar ndeshjet e tyre duke ecur në këtë mënyrë drejt arritjes së objektivit të tyre. Vllaznia U17 ka marrë një tjetër fitore sot në ndeshjen e rradhës për kampionat. Ajo ka fituar me rezultatin e ngushtë 2-1 ekipin Brians, në ndeshjen e luajtur në fushën sportive “Reshit Rusi”.
Goli i sulmuesit Ardit Nikaj në fundin e pjesës së parë ka rezultuar deçisiv deri në fund të takimit, pavarësisht përpjekjeve të kundërshtarit për të barazuar deri në fund.Ndeshja ka nisur me gol për skuadrën shkodrane. Në minutën e 14-të ka qenë mesfushori Arsen Elbasani ai që ka kaluar në avantazh ekipin e tij. Ndërkohë 15 minuta më vonë do të vinte edhe goli i barazimit për lezhjanët. Një nga lojtarët e Brians është penguar në mënyrë të parregullt brenda zonës nga njëri prej lojtarëve të Vllaznisë dhe arbitri ka treguar pikën e bardhë. Atë e ka marrë përsipër ta ekzekutojë Martinaj i cili është treguar i saktë duke e dërguar topin në rrjetë.Ndërkohë një minutë para fundit të pjesës së parë, sulmuesi Nikaj ka ndjekur një aksion të ekipit të tij dhe në fund e ka dërguar topin në rrjetë.
Në pjesën e dytë, pavarësisht përpjekjeve të të dy ekipeve nuk ka patur gola të tjerë dhe përfundimisht Vllaznia U17 ka fituar 2-1 duke u ngjitur kësisoj në kuotën e 31 pikëve dhe mban sërish vendin e tretë në renditje.
Qardaku, Asllani e Hoxha goleadë ndaj Laçit. Vllaznia U19 kap Shkëndinë në krye të renditjes
Ndërkohë me fitore të thellë e ka nisur fazën e tretë të kampionatit Vllaznia U19. Në javën e parë ajo ka pritur në “Reshit Rusi” ekipin e Laçit të cilin e ka mundur me rezultatin e thellë 5-0.Gjithçka ka qenë e lehtë për kuqeblutë në këtë takim i cili ka nisur me gol. Që në minutën e 2-të ka qenë Qardaku që ka zhbllokuar shifrat ndërkohë që katër minuta më vonë Asllani do të dyfishonte shifrat.Gjatë pjesës së parë do të kishte edhe dy gola të tjerë, madje shumë të bukur, të ardhur nga goditjet e dënimit. Fillimisht Qardaku dhe më pas Hoxha kanë shënuar gola mjaft të bukur nga ekzekutimi i tyre.Pjesa e parë në këtë mënyrë është mbyllur me rezultatin 4-0. Në të dytën, pavarësisht rasteve të krijuara do të kishte vetëm një gol. Mali bën gjithçka mirë në zonë dhe në fund pason tek Qardaku që nuk e ka të vështirë të shënojë.Ky ka qenë goli i tretë për këtë lojtar dhe që ka kompletuar kësisoj fitoren e thellë 5-0 të Vllaznia U19. Kjo e fundit me këtë trepikësh është ngjitur në kuotën e 46 pikëve.
Ajo ka përfituar nga barazimi i Shkëndisë kryesuese të kampionatit që e ka mbyllur në barazim 2-2 ndeshjen me Shënkollin e vendit të fundit dhe në këtë mënyrë tashmë Shkëndia e Vllaznia kanë secila nga 46 pikë duke ndarë dy vendet e para të renditjes.
© vllaznia.al