Akademia Vllaznia, një humbje dhe një barazim në javën e 16-të

175

Java e 16-të e kampionateve të moshave ka dhuruar vetëm një barazim për ekipet e Akademisë Vllaznia. Mundësitë kanë qenë për më shumë dhe në këtë mes kanë ndikuar edhe faktorë të tjerë. Ndaj ekipeve respektive të Tiranës, tanët kanë marrë një barazim dhe një humbje.
Kështu, në përballjen e 17 vjeçarëve, vetëm mungesa e fatit ka ndëshkuar Vllazninë. Ajo ka kaluar në avantazh që në minutën e 15-të me anë të futbollistit Xhoni Tinaj dhe me këtë gol ata kanë qenë duke shkuar drejt fitores, por në minutat e fundit të ndeshjes, Tirana ka arritur të barazojë me anë të Cerenit. Pavarësisht këtij fakti, duhet thënë se edhe barazim është një rezultat shumë i mirë për Vllaznia U17 sepse ndeshej në transfertë me ekipin kryesues të kampionatit.
Ndërkohë Vllaznia U19 ka bërë një hap të gabuar në ndeshjen e kësaj jave teksa është mundur me rezultatin 0-2 nga Tirana në ndeshjen e luajtur në fushën sportive “Skënder Halili” të kryeqytetit. Në të parën, ka qenë Veliu ai që ka zhbllokuar shifrat që në minutën e 21-të për bardheblutë me një gol që ka diskutime për pozicion jashtë loje. Vllaznia ka reaguar, ia ka dalë të barazojë por për çudi goli është anulluar për gjoja pozicion jashtë loje. Edhe në pjesën e dytë ekipi ynë ka vazhduar përpjekjet për të gjetur golin e barazimit por në fakt në minutën e 81-të Malo do të shënonte edhe golin e dytë për bardheblutë duke mbyllur kësisoj ndeshjen.Me këtë humbje, Vllaznia U19 e ka çuar në katër diferencën me ekipin e Shkëndisë së Tiranës, ekip ky që kryeson renditjen e kampionatit.
© vllaznia.al