Dy fitore për ekipet e Akademisë Vllaznia edhe në javën e 23-të

235

Dy fitore kanë arritur ekipet e Akademisë Vllaznia edhe në ndeshjet e javës së 23-të të kampionatit kombëtar të moshave. 19 vjeçarët kanë fituar 3-1 “derbin” me ekipin e AAS ndërsa 17 vjeçarët shkodranë kanë fituar me shifrat e thella 7-1 ndaj Akademisë së Futbollit.
Sa i takon sfidës së 19 vjeçarëve, në fushën e “Reshit Rusit” është zhvilluar një ndeshje shumë interesante dhe sidomos për pjesën e parë ka qenë një spektakël i vërtetë. Në fillim ka qenë AAS që kaluar e para në avantazh me anë të Kuturelit në minutën e 20-të. Një avantazh që ka zgjatur vetëm 17 minuta sepse më pas do të ishte Akileu Ndreca që do të barazonte shifrat dhe pjesa e parë në këtë mënyrë do të mbyllej në barazim 1-1. E dyta do të fliste tërësisht për Vllaznia U19 e cila fillimisht ka kaluar në avantazh me anë të mesfushorit Kulla në ’57 dhe më pas, dhjetë minuta më vonë do të ishte sërish Ndreca që do të shënonte golin e tretë për skuadrën e tij dhe të dytin personal. Në këtë mënyrë, Vllaznia U19 ka fituar 3-1 dhe me këtë rezultat, ajo është ngjitur në kuotën e 56 pikëve duke qenë sërish e shkëputur tre pikë nga Shkëndia e vendit të dytë e cila sot ka fituarn 6-1 ndaj Ilirisë.
Ndërkohë Vllaznia U17 ka arritur një tjetër fitore, madje këtë herë me goleadë duke mundur me rezultatin e thellë 7-1 ekipin e Akademisë së Futbollit, në ndeshjen e luajtur paraditen e djeshme në fushën sportive “Reshit Rusi”.
Takimi është bërë shumë i lehtë për kuqeblutë vetëm pas golit të barazimit që ata kanë shënuar golin e parë në minutën e 20-të me anë të sulmuesit Ardit Nikaj. Kjo sepse kanë qenë miqtë ata që shënuan të parët në minutën e 10-të me anë të Gjuzit, por vetëm kaq.Pas barazimit, vjen furia e ekipit shkodran. Ka qenë rradha e mesfushorit Arjet Bizi të shënonte dy gola njëri pas tjetrit dhe kësisoj pjesa e parë është mbyllur me rezultatin 3-1 për Vllaznia U17.Në pjesën e dytë ka qenë vetëm ajo në fushën e lojës teksa Sufaj ka shënuar golin e katërt, më pas Nikaj të pestin dhe në minutën e 57-të do të ishte edhe rradha e Pusit për të shënuar emrin e tij si golashënues. Megjithatë për të mbyllur ndeshjen do të mendonte mesfushori Suka i cili në minutën e 63-të do të shënonte edhe golin e shtatë për ekipin shkodran që kësisoj fiton me rezultatin e thellë 7-1.Një fitore që në fakt nuk vlen dhe aq shumë sepse edhe rivali kryesor i ekipit shkodran, ai i Shënkollit e ka fituar ndeshjen e rradhës dhe diferenca mes tyre mbetet sërish gjashtë pikë.Megjithatë janë edhe katër javë deri në fund dhe djemtë e drejtuar nga trajneri Brikeno Bizi do të shpresojnë për vendin e dytë.
© vllaznia.al