Dy fitore për ekipet e Akademisë Vllaznia në javën e 15-të

174

Shumë e suksesshme ka rezultuar java e 15-të e kampionatit kombëtar të moshave për ekipet e Akademisë Vllaznia. Të dy ekipet e saj, si ai U17 edhe U19 janë përballur me ekipet e Partizanit dhe kanë triumfuar ndaj tyre duke arritur dy fitore të pastra. Takimi I parë I zhvilluar në fushën “Reshit Rusi” ka qenë ai I paratërinjve. Shkodranët kanë shënuar që në minutën e 15-të me anë të mesfushorit Arjet Bizi. Më pas, pavarësisht përpjekjeve të të dy ekipeve, nuk ka patur gola të tjerë. Vllaznia U17 ka fituar kësisoj 1-0 dhe me këtë trepikësh është ngjitur në kuotën e 24 pikëve dhe mban vendin e tretë në renditje. Por duhet thënë se viti 2019 ka nisur krejt ndryshe për ekipin e drejtuar nga trajneri Brikeno Bizi sepse ai po shfaqet shumë më solid dhe padyshim që ecuria e tij pritet të jetë shumë e mirë edhe në javët e ardhshme.
Ndërkohë Vllaznia U19 ka përsëritur të njëjtin rezultat ndaj Partizanit si pak ditë më parë në Kupë. Edhe këtë herë skuadra e drejtuar nga Luan Zmijani ka arritur të fitojë me rezultatin 2-0. Në pjesën e parë ka qenë sulmuesi Angjelo Radovani që ka kaluar në avantazh kuqeblutë ndërsa në fillimin e pjesës së dytë ka qenë mesfushori Uheid Hoxha që ka shënuar një gol shumë të bukur. Në një goditje dënimi nga një distancë prej 25 metrash, ai e ka dërguar topin në trekëndësh. Me këtë fitore Vllaznia U19 është ngjitur në kuotën e 37 pikëve dhe mban vendin e dytë, vetëm një pikë larg Shkëndisë që udhëheq renditjen.
www.vllaznia.al