Ekipet e Akademisë Vllaznia kualifikohen për në çerekfinale të Kupës

688

E kanë nisur mbarë pjesmarrjen në Kupën e Shqipërisë dy ekipet e Akademisë Vllaznia në futboll. Në ndeshjet e turit të parë që janë luajtur pasditen e së shtunës në Kamëz, të dy ato kanë fituar ndaj kundërshtarëve të tyre duke u kualifikuar për në çerekfinale të këtij kompeticioni. 19 vjeçarët shkodranë janë ndeshur me ekipin e Partizanit dhe kanë fituar me rezultatin 2-0. Në pjesën e parë ka qenë kapiteni Elmir Lekaj që ka kaluar skuadrën e tij në avantazh ndërkohë që në të dytën ka qenë mesfushori Samuel Asllani që ka shënuar golin e dytë dhe të fundit të ndeshjes.
Vllaznia U19 e drejtuar nga trajnerët Luan Zmijani e Gjon Kola, kësisoj ka fituar me rezultatin 2-0 dhe është kualifikuar për në turin çerekfinal të Kupës, aty ku do të ndeshet me ekipin e Akademisë së Futbollit.
Ndërkohë tek 17 vjeçarët Vllaznia është ndeshur me Internacional. Ky i fundit ka kaluar i pari në avantazh që në minutat e para të ndeshjes. Një gol disi i papritur ky për shkodranët por që gjithsesi gjetën forca dhe reaguan. Në minutën e 35-të ka qenë Paloka ai që ka barazuar shifrat dhe tre minuta më vonë, kuqeblutë do të fitonin një 11-metërsh që do të kthehej në gol nga Pusi. Në pjesën e dytë nuk ka patur gola të tjerë. Duhet thënë se që nga minuta e 65-të, Vllaznia ka luajtur me një futbollist më pak sepse Tinaj është ndëshkuar me kartonin e dytë të verdhë dhe rrjedhimisht të kuqin. Kjo gjithsesi nuk ka ndikuar në rezultat dhe Vllaznia U17 e drejtuar nga trajnerët Brikeno Bizi dhe Fatjon Kadija ka fituar 2-1 duke kaluar në çerekfinale. Ndeshjen tjetër ajo do ta luajë ndaj ekipit kryesues të kampionatit, Tiranës.
© vllaznia.al