Goli i Shtubinës i jep fitoren Vllaznisë në Korçë ndaj Skënderbeut

237

Vllaznia vazhdon të bëjë mirë në ndeshjet në transfertë dhe pas asaj të Gjirokastrës, ka marrë një tjetër fitore me shumë vlerë edhe në Korçë. Në ndeshjen e luajtur pasditen e së shtunës ndaj Skënderbeut, kuqeblutë kanë fituar me rezultatin 1-0 falë golit të shënuar nga Ndriçim Shtubina në pjesën e dytë. Takimi në fakt ka nisur me rivalitet dhe Vllaznia duket e vendosur për ta fituar këtë takim dhe luan si e barabartë në fushë, madje në momente të caktuara ka më shumë dëshirë dhe ego. Por nga ana tjetër, edhe Skënderbeu nuk heq dorë nga fitorja dhe në 2-3 momente të vështira, ndalen nga portieri Sherri që është në një ditë të mirë. Nga ana tjetër, rastin më të mirë për gol e kanë shkodranët në këtë pjesë. Ka qenë mesfushori Herald Marku që me një gjuajtje të fortë jashtë zone ka goditur shtyllën e majtë pingule të portës korçare. Në pjesën e dytë ndërkohë, ekipi shkodran ka vijuar të këmbëngulë në kërkim të golit të avantazhit dhe ai do të vinte në minutën e 65-të. Pas një krosi të Likës nga e djathta, Shtubina ka vepruar bukur në zonë dhe me një roveshiatë të shkëlqyer e ka dërguar topin në rrjetë. Një gol që ka sjellë entuziasmin në rradhët e futbollistëve dhe stafit teknik. Megjithatë minutat e mbetura deri në fund kanë sjellë jo pak ankth tek Vllaznia për më tepër që në 10 minutat e fundit ajo mbeti me një futbollist më pak sepse mbrojtësi Ualusimbi do të largohej me karton të kuq nga fusha e lojës. Megjithatë kuqeblutë kanë rezistuar dhe i gjithë takimi është mbyllur me fitoren 1-0 të Vllaznisë. Një trepikësh me shumë vlerë për të, me të cilin është ngjitur në kuotën e 23 pikëve dhe tashmë është e pozicionuar në vendin e pestë të renditjes, por vetëm dy pikë larg vendit të dytë. Ndeshja e së mërkurës ndaj Kukësit në “Loro Boriçi” padyshim që është shumë e rëndësishme dhe kuqeblutë patjetër që do të tentojnë fitoren.
www.vllaznia.al