Gurishta: Fitorja ndaj Luftëtarit është detyrim për Vllazninë

327

Goli i shënuar prej tij në Durrës ka qenë i pari për këtë sezon me Vllazninë, megjithatë Erdenis Gurishta nuk ka arritur t’i gëzohet sepse skuadra e humbi atë takim. Duke folur përpara gazetarëve, mbrojtësi kuqeblu ka deklaruar se sfida me Teutën tashmë është lënë pas dhe e gjithë vëmendja është përqendruar tek takimi me Luftëtarin ku do të kërkohet patjetër vetëm fitorja. Ja si është përgjigjur Gurishta pyetjeve të gazetarëve:

Shënuat në Durrës golin tuaj të parë këtë sezon me Vllazninë, por në fakt nuk iu gëzuat si duhet atij…

Për mua ishte diçka e bukur që shënova në atë takim, por nëse do të ishte në dorën time, do të dëshiroja që të mos shënoja vetëm që ekipi të arrinte që të merrte pikë në këtë takim. Por fati nuk ishte me ne në atë përballje.

Çfarë ndodhi në takimin e Durrësit pas atij goli, kur erdhi dhe përmbysja?

Ne e filluam ndeshjen shumë mirë. Kur shënuam, nuk e di pse u kthyem pas. Ne pastaj pësuam tre gola që tani nuk kanë nevojë për shumë koment. Unë nuk do të ndalem fare tani tek takimi i Durrësit por të shikojmë përpara për takimin që kemi nesër.

Keni patur një problem dëmtimi ditët e fundit. Do jeni i gatshëm Gurishta për takimin e nesërm?

Që në takimin me Teutën kam marrë një dëmtim në shpinë. Jam stërvitur për pak ditë dhe sëbashku me stafin mjekësor dhe atë sportiv do të shikojmë nëse do të jem nesër në fushë apo jo.

Fitorja shikohet si detyrim ndaj Luftëtarit?

Sigurisht që fitorja është një detyrim ndhe uk ka asnjë justifikim për një ndonjë rezultat tjetër. Kampionati po shkon drejt fundit dhe duhet medoemos që në takimet brenda të marrim pikët tona.

Një fillim shumë i mirë i kampionatit duke qenë madje në vendet e para të renditjes, ndërsa tani Vllaznia ndihet e rrezikuar. Çfarë ndodhi me skuadrën?

Ky kampionat ka treguar se me dy fitore je për Europë dhe me dy humbje rrezikon. Por ne nuk duhet që ta bëjmë alarmante këtë situatë. Ne duhet që të marrim 6 pikët në këto dy ndeshjet e rradhës dhe përsëri do të jemi në lojë.

Si ndihet Gurishta pasi po luan në këtë sezon në disa pozicione?

Është e vërtetë që unë kam luajtur në disa pozicione, por të gjithë e dinë që roli im është në mbrojtje. Megjithatë kur e vendos stafi teknik, unë jam përherë i gatshëm që t’i përgjigjem atij dhe të luaj në çdo pozicion që më kërkojnë.

Cili është apeli juaj për tifozërinë?

Më vjen keq sepse sa herë kemi patur një tifozëri të shumtë në stadium, e kemi zhgënjyer. Por sërish i bëj thirrje atyre të na përkrahin pasi kemi nevojë për ta. Jemi ekip i mirë dhe kemi shanse sërish për të qenë në Europë.
© vllaznia.al