Javë e pasuksesshme për ekipet e Akademisë Vllaznia

273

Java e 11-të e kampionateve të moshave ka qenë e pasuksesshme për ekipet e Akademisë Vllaznia. Të dy ato kanë dalë të mundur nga sfidat respektive të luajtura ndaj ekipeve të Partizanit. Në ndeshjen në mes ekipeve të 19 vjeçarëve, të kuqtë kanë fituar me rezultatin 3-1. Në pjesën e parë në fakt loja ka qenë e barabartë dhe pas golit të vendasve të shënuar nga Kolonja me 11-metërsh, ka ardhur goli i barazimit shënuar nga Radovani dhe pjesa e parë do të mbyllej në shifrat 1-1. Por në pjesën e dytë Partizani U19 luan më mirë, përfiton edhe nga disa gabime të mbrojtësve shkodranë duke arritur të shënojë edhe dy gola të tjerë me autorë Qaton e Marinajn dhe krejt ndeshja kësisoj është mbyllur në shifrat 3-1 për vendasit. Vllaznia U19 pas kësaj jave mbetet në kuotën e 11 pikëve duke mbajtur vendin e shtatë të renditjes.
Sakaq, edhe Vllaznia U17 është mundur në kryeqytet nga Partizani. Në pjesën e parë vendasit kanë shënuar dy gola me anë të Perlalës dhe Matës ndërkohë që në fillimin e pjesës së dytë, ka ardhur edhe goli i tretë me autor Xhambazin. Ekipi shkodran është munduar të reagojë, ka përfituar një 11-m etërsh të kthyer në gol nga kapiteni Papaj por vetëm kaq sepse të kuqtë do të shënonin edhe golin e katërt sërish me Xhambazin. Në fund ndërkohë ka shënuar sërish Papaj por thjesht sa për të ngushtuar shifrat dhe i gjithë takimi mbyllet në shifrat 4-2 për Partizani U17. Vllaznia mbetet në kuotën e 20 pikëve dhe mban vendin e tretë të renditjes.
www.vllaznia.al