Junior: I lumtur që rikthehem tek Vllaznia, ndjehem si në shtëpinë time

615

Sulmuesi brazilian Silvio Rodrigues Pereira Junior ka firmosur pasditen e djeshme kontratën njëvjeçare me Vllazninë ndërkohë që sot ka dalë para gazetarëve duke folur fjalët e para për këtë rikthim sërish në skuadër pas gjashtë muajsh shkëputje. Në prononcimin e tij është shprehur i lumtur që rivishet sërish kuqeblu e për këtë ka thënë:
“Jam i lumtur që rikthehem dhe ndjehem si në shtëpinë time. Gjatë kësaj periudhe që nuk kam qenë në Shqipëri, i kam ndjekur të gjitha ndeshjet e Vllaznisë dhe po ashtu edhe të gjithë lajmet rreth saj. Jam në formën e duhur dhe i gatshëm për të luajtur. Tani është në dorën e trajnerit nëse do të jem në fushë që në ndeshjen e parë apo jo. Tek Vllaznia tashmë është një trajner i ri dhe është ai që vendos për çështjen e aktivizimit. Do të filloj që sot stërvitjen me ekipin dhe në ditët në vijim do të shohim për këtë gjë. E thashë edhe më lart se e kam ndjekur Vllazninë, kam parë lojtarët që kanë qëndruar në ekip që prej sezonit të kaluar kur isha edhe unë pjesë e saj, e po ashtu kam ndjekur edhe lojtarët e rinj që kanë ardhur, disa prej të cilëve i njoh”.
I pyetur nëse do të vazhdojë të shënojë sërish si sezonin e kaluar kur skuadra në fakt ishte në kategorinë e parë dhe tashmë që ajo luan në Superligë, lojtari i sapoardhur tek Vllaznia, është përgjigjur: “Vërtetë që është hera e parë që unë do të luaj në këtë kampionat, por ajo që premtoj unë është se do të bëjë maksimumin për ta ndihmuar skuadrën me lojën dhe golat e mi”.
Pyetja e fundit ka qenë ajo nëse Junior i druhet konkurrencës ngaqë gjatë merkatos së janarit me skuadrën janë bashkuar edhe dy sulmuesit e tjerë, Hristov e Sidorenco dhe ai përgjigjet: “Unë jam shumë i kënaqur me ekipin që kam gjetur dhe kam ardhur që ta ndihmoj atë. Normalisht që edhe konkurrenca është diçka e nevojshme, por kam ardhur këtu që të kem hapësirën time dhe do të bëj më të mirën që ta kem këtë hapësirë për të luajtur dhe për të treguar vlerat e mia”.
© vllaznia.al