Agim Canaj: Askush s’mund të tallet me fanellën e Vllaznisë

117

Numri një i pankinës së Vllaznisë, Agim Canaj, pas ndeshjes ka pranuar se ishin të ndërgjegjshëm për vështirësitë që ajo kishte. Ai tha se do ta analizojnë në detaje këtë takim, duke parë golat e shënuar, të cilët, sipas tij, ishin foshnjarakë. Canaj ka shtuar se gabime që u bënë vështirë të kapërdihen, në një kohë që e kishin në dorë situatën. “E dinim se ndeshja do të ishte e vështirë, sepse luanim kundër një skuadre të fortë siç është Teuta. E pësuam golin e parë nga një gabim i yni. Më pas arritëm të marrim mesfushën dhe të krijonim 3-4 raste për shënim. Në 45 minutat e dyta hymë me tjetër psikologji dhe arritëm të shënojmë dy herë, madje mund të shënonim edhe gola të tjerë. Ne pësuam 3 gola në qendër të mbrojtjes nga gabime foshnjarake, të cilat duhet t’i shohim me lupë. Kjo sepse janë gabime që nuk mund të bëhen në një ndeshje futbolli, aq amatoreske ishin.  Askush s’mund të tallet me fanellën dhe emrin e kësaj skuadre. Prandaj do t’i analizojmë me imtësi këto gjëra. Po e përsëris edhe njëherë, se ishin 3 gola amatoreskë dhe nuk e di çfarë mund të thotë një trajner. Gabime të tilla vështirë të kapërdihen nga gjithë qyteti dhe ne si staf teknik. E kishim lojën krejt në dorë, mirëpo na rrëshqiti. U bënë kaq vite trajner, nuk kisha parë ndonjëherë një rast të tillë”, – ka përfunduar trajneri i kuqebluve, Canaj.
© vllaznia.al