Agim Canaj: Vllaznia do kërkojë vetëm fitoren ndaj Kukësit

196

Trajneri I Vllaznisë Agim Canaj thotë se për skuadrën e tij, nuk ka asnjë zgjidhje tjetër përveç marrjes së fitores në ndeshjen e nesërme me Kukësin. Ai vlerëson shumë kundërshtarin, e konsideron një ballafaqim të vështirë në të cilin duhet bërë shumë kujdes.

Këto janë pjesë të deklaratës së dhënë prej tij në konferencën e sotme për shtyp të organizuar nga ana e klubit shkodran  pikërisht në pragndeshjen e javës së 13-të të kampionatit, asaj që do të luajë në “Loro Boriçi” me ekipin e Kukësit. Ja përgjigjet e plota të Canajt ndaj të pyetjeve të bëra nga gazetarët:

-Vllaznia- Kukësi, një sfidë interesante por edhe delikate për ju besojmë, profesor?
Ndryshe nga ndeshjet e tjera, kjo është shumë e rëndësishme për ne duke parë edhe pozicionin e kundërshtarit që vjen pas tre fitoresh rradhazi ndërkohë që ne kemi humbur në dy takimet e fundit. Këto dy humbje e kanë komplikuar pozicionin tonë në tabelën e renditje dhe po ashtu na kanë goditur edhe nga ana psikologjike, në raport me ambjentin dhe të asaj çfare kemi kërkuar gjithmonë nga skuadra. Prandaj dhe duhet të reagojmë.
-Si kanë shkuar gjërat në skuadër këtë javë kur siç thatë dhe vetë, situata psikologjike nuk ka qenë e mirë?
Normalisht dy ndeshjet e humbura kanë patur ndikimin e vet por kjo nuk do të na pengojë të kërkojmë fitoren ndaj Kukësit. E kam të qartë se nuk do të ndeshemi me një kundërshtar të lehtë, përkundrazi kemi të bëjmë me një skuadër shumë të investuar e po ashtu edhe në lojtarë cilësorë në rradhët e saj. Duke qenë një kundërshtar I tillë, duhet të jemi shumë të kujdesshëm për të arritur një rezultat pozitiv që do na ndihmonte për më tej sepse ndoshta presioni psikologjik në dy ndeshjet e fundit, ka bërë që të gabojmë shumë në fazën sulmuese por edhe atë mbrojtëse. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm në aspektin taktik në fazën mbrojtëse dhe të jemi shumë efiçent përpara duke u mbështetur shumë tek ekuilibri që duhet të krijojmë në të dy fazat e lojës.
-A do mundet Vllaznia ta ndalë Kukësin në këto momente kur ai po I fiton ndeshjet rradhazi?
Skuadra e Vllaznisë I ka potencialet për të mundur çdo kundërshtar. E rëndësishme është vetëm që futbollistët të jenë ashtu siç duhet në anën psikologjike dhe kjo është detyra ime kryesore në këto momente, t’I bëj ata gati për ndeshje. Ajo çfarë kërkoj unë si trajner është shpirti I lartë I garës dhe përgjegjësia individuale e çdo futbollisti.
-Një pragndeshje shoqëruar sërish me probleme dëmtimesh apo jo?
Probleme kemi patur shumë por vëmendjen e kam të përqendruar tek ato futbollistë që mund të jenë të gatshëm për të luajtur në këtë ndeshje dhe nuk mund të mendoj për ata futbollistë që nuk do të jenë. Shpresoj shumë tek rikuperimi I Gocajt dhe I Belishës që janë dy forca të cilat do na bëjnë punë në ndeshjen me Kukësin.
-Kapiteni Beqiri nuk do jetë sërish I gatshëm edhe për këtë ndeshje?
Ai ka një dëmtim që I ka zgjatur disi dhe kjo na ka bërë që të mos e mendojmë si pjesë e skuadrës prandaj duhet të merremi me lojtarët e tjerë që do luajnë.
-Profesor, kampionati ka filluar të bëhet gjithnjë e më I vështirë. Keni filluar të mendonin edhe për rrezikun e rënies nga kategoria?
Normalisht që duhet të mendosh për shumë gjëra. Unë edhe kur skuadra ka qenë shumë mirë, nuk kam folur asnjëherë me eufori sepse e di gjendjen e skuadrës dhe kapacitetin e saj. Megjithatë kam qenë gjithmonë I qetë duke menduar fillimisht për t’iu larguar rënies dhe më pas të shkojmë më lart. Lufta duket e madhe dhe në këto kushte, do kërkoja një mbështetje më të madhe nga drejtuesit e klubit sepse çdo rrëshqitje e mëtejshme do na prishte jo pak plane dhe do na fuste në atë panikun e rënies megjithëse kurrë nuk e mendoj një gjë të tillë.
-Në Shkodër çdokush mendon se Vllaznia duhet t’I marrë tre pikët me Kukësin. A është ky një presion ndaj skuadrës?
Presioni ndaj skuadrës në Shkodër jo tani por gjithmonë ka qenë I madh, edhe kur kemi qenë në momente më të mira. Mendoj se presioni I tifozërisë të jetë në anën positive në mënyrë që ata t’I kemi në krah, të jenë me shumicë në shkallët e stadiumit. është një ndeshje e vështirë dhe prania e tyre përkrah skuadrës do ishte një nxitje më shumë për ta mbështetur edhe në ndonjë moment kur skuadra mund të mos jetë mirë por e rëndësishme është që të gjithë sëbashku të mundohemi të arrijmë fitoren.
-Edhe Kukësi është shprehur se do vijë për fitore në Shkodër, kjo garanton një ndeshje të bukur në “Loro Boriçi”?
Në Shkodër të gjitha skuadrat që vijnë për të luajtur futboll heqin stresin e luftës që bëhet jashtë tribunave, jashtë fushave të futbollit. Këtë ta ofron Vllaznia. Ajo të jep mundësinë për të treguar spektakël, është një fushë ku ndjen ngrohtësinë e të gjithëve, ndërkohë që ne, për fat të keq, nuk e gjejmë në shumë fusha të tjera. Megjithatë unë mendoj se do zhvillohet një ndeshje e bukur dhe shpresoj të fitojmë ne.

© vllaznia.al