Akademia Vllaznia, dy fitore ndaj ekipeve të Portos

213

Ekipet e Akademisë Vllaznia i kanë fituar ndeshjet e javës së 17-të. U-17 kanë fituar me rezultatin e pastër 3-0 ndërsa U-19 ka fituar me një rezultat më të ngushtë, 2-1 përballë ekipeve respektive të Portos. Dy fitore që padyshim do të ndihmojnë në ecurinë e tyre të mëtejshme të arritjes së objektivave. Sa i takon takimit të 17 vjeçarëve, ai është zgjidhur shumë shpejt në favor të djemve të drejtuar nga trajneri Neziri. Në minutën e parë Elmir Lekaj do të zhbllonte rezultatin ndërsa dy minuta më vonë ka qenë sulmuesi Lisaj që ka shënuar edhe golin e dytë. Në pjesën e dytë ndërkogë mesfushori Hoxha do të shënonte edhe golin e tretë që do të vuloste edhe rezultatin përfundimtar të takimit, atë 3-0 të Vllaznisë. Me këtë fitore, ajo është ngjitur në kuotën në 34 pikëve duke mbajtur vendin e dytë në renditje. Tek ndeshja e 19 vjeçarëve ishte një histori më ndryshe. Në fillim do ishte Porto që do të kalonte në avantazh me anë të Bibajt. Megjithatë sulmuesi Belajdi Pusi do të barazonte shifrat në minutën e 30-të. Pjesa e parë do të mbyllej në barazim 1-1. Për të mbërritur tek goli i dytë, ai i fitores, Vllaznisë U-19 i është dashur të presë jo pak. Do të ishte pikërisht Palushani ai që në minutën e 74-të do të shënonte atë gol që do t’i jepte fitoren ekipit të tij. Vllaznia U-19 ndodhet për momentin në vendin e parë në renditje, por me pikë të barabarta me Tiranën dhe Partizanin, çka do të thotë se deri në fund të kampionatit do të ketë një garë shumë të fortë për të siguruar dy vendet e para që të çojnë në play-off.
© vllaznia.al