Akademia Vllaznia, dy fitore në Durrës ndaj Shkëndisë

211

Ekipet e Akademisë Vllaznisë kanë arritur dy fitore në ndeshjet e javës së tetë të kampionateve të kategorisë superiore për moshat. Ato kanë qenë mysafire në Durrës ku janë ndeshur me ekipet respektive të Shkollës së Mjeshtërisë Sportive. Vllaznia U-17 ka fituar 1-0 ndërsa Vllaznia U-19 ka fituar me rezultatin 3-2. Ndeshjet kanë qenë të forta dhe kanë patur rivalitet. Në ndeshjen e paratërinjve, ka vendosur një goli shënuar në pjesën e dytë nga sulmuesi Rubin Hebaj pas ekzekutimit të shkëlqyer të një goditje dënimi. Me këtë fitore, ekipi i drejtuar nga trajneri Alban Volumi është ngjitur në kuotën e 13 pikëve duke mbajtur vendin e gjashtë në renditje. Shumë emocione ka dhuruar ndeshja ajo e 19 vjeçarëve. Shkodranët kanë kaluar të parët në avantazh me anë të Dycës por durrsakët kanë barazuar. Krymi ka shënuar edhe golin e dytë për Vllazninë por sërish Shkëndia ka barazuar rezultatin. Goli vendimtar i ndeshjes do të shënohej në minutën e 89-të kur pas një goditje këndi, Nikaj do të godiste saktë me kokë topin duke e dërguar atë në rrjetë. Në këtë mënyrë Vllaznia arrin të marrë fitoren e tetë rradhazi në po aq ndeshje të luajtura duke qenë në krye të renditjes. Ajo do ketë rivalitet vetëm me Shkëndinë e Tiranës, skuadër e cila edhe kjo po bën një paraqitje të mirë në kampionat dhe ka të njëjtën kuotë pikësh si kuqeblutë në renditje.

© vllaznia.al