Akademia Vllaznia dy fitore të vështira ndaj ekipeve të Kukësit

306

Dy ekipet e Akademisë Vllaznia kanë arritur fitore edhe në ndeshjet e rradhës, ato të zhvilluara ditën e sotme ndaj ekipeve respektive të Kukësit.

Në takimet e luajtura në fushën sportive “Reshit Rusi”, ekipi U-19 ka fituar me rezultatin 1-0 ndërsa ekipi U-21 ka fituar me rezultatin 2-1.Në fakt, u mendua se do të ishin ndeshje më të lehta, edhe për vetë renditjen e ekipeve kukësiane. Takimi i 17 vjeçarëve ka qenë i pari i luajtur. Futbollistët shkodranë kanë shënuar të parët me anë të sulmuesit Boriçi.Pjesa e parë do të mbyllej me rezultatin 1-0 për vendasit. Nisur nga rastet e shumta të krijuara në këtë pjesë të parë, u krijua përshtypja se do të kishte edhe gola të tjerë por nuk ka ndodhur kështu. Madje, do ishin kukësianët ata që do të barazonin shifrat duke e vënë në vështirësi Vllazninë e cila ka arritur të shënojë golin e fitores vetëm në fundin e ndeshjes. Ka qenë një 11-metërsh i dhënë nga gjyqtari i cili është shndërruar në gol nga mesfushori Hoxha. Përfundimisht 2-1 dhe kuqeblutë me këtë trepikësh janë ngjitur në kuotën e 26 pikëve pas 10 ndeshjesh të luajtura, me 8 fitore dhe 2 barazime, ndërkohë që edhe golaverazhi është shumë domethënës, 18-3. Me këtë fitore, Vllaznia U-17 është tashmë plot 5 pikë larg Shkëndisë së Tiranës që është në vendin e dytë.Ndërkohë edhe ndeshja në mes 19 vjeçarëve ka patur rivalitet dhe madje ajo mund të shkonte drejt barazimit. Pavarësisht rasteve të krijuara, futbollistët shkodranë nuk kanë arritur të shënonin në portën kundërshtare. Do të vinte minuta e parë shtesë kur kapiteni Pusi do të shënonte golin e shumëpritur që do t’i jepte Vllaznia golin e fitores. Me këtë fitore, ky ekip është ngjitur në kuotën 24 pikëve pas 10 ndeshjesh të luajtura. Edhe 19 vjeçarët ende nuk e njohin shijen e humbjes sepse kanë arritur 7 fitore dhe 3 barazime ndërkohë që golaverazhi është 11-2. Ndeshjet e sotme kanë qenë të parat e fazës së dytë të kampionatit. Ndërkohë që javën e ardhshme ekipet e Akademisë do të presin sërish në Shkodër ekipet e Partizanit.

© vllaznia.al