Alban Hasani nis punën si trajner tek Akademia Vllaznia

210

Ish- trajneri i kombëtares shqiptare të minifutbollit- Alban Hasani prej pak ditësh ka nisur punë tek Akademia Vllaznia. Ai është emëruar trajner tek Vllaznia U-17 teksa do të punojë bashkë me trajnerin tjetër Alban Noga për rritjen e cilësisë sportive të futbollistëve të kësaj moshe. Në prononcimin e tij të parë pas emërimit në këtë post, Hasani do të shprehej: “Marrja e kësaj detyre sigurisht që është një nder dhe vlerësim për mua sepse të punosh me Akademinë Vllaznia është privilegj për vetë historinë dhe traditën që ka ajo dhe klubi Vllaznia në tërësi. Sëbashku me kolegun Alban Noga do mundohemi të bëjmë më të mirën me ekipin e 17 vjeçarëve në pjesën e dytë të sezonit”. Po çfarë do ndryshojë me ardhjen e këtij trajneri tek ky ekip? Hasani i ka të qarta idetë e tij për të kthyer lojën tradicionale të futbollit shkodran tek ai. “Do të mundohem të fus tek ekipi lojën tradicionale të futbollit shkodran, atë me topa të shkurtër dhe kryesisht teknike. Historia e Vllaznia nuk është shkruar sot dhe prandaj duhet t’i përshtatemi asaj edhe ne që jemi duke punuar tashmë për të. Gjatë fazës së dytë të kampionatit do të mundohemi të përmirësojmë gabimet e vërejtura në fazën e parë dhe mbi të gjitha të përgatisim futbollistë të gatshëm për ekipin e të rinjve sepse mbi të gjitha ky është objektivi ynë parësor”- ka thënë trajneri i ri i ekipit Vllaznia U-17 Alban Hasani.

© vllaznia.al