Bashkia Shkodër: Jemi të hapur për biznesmenët tek Vllaznia

226

Bashkia Shkodër dhe klubi i futbollit Vllaznia edhe sot përmes një konference për shtyp të pjestarëve të saj, i kanë bërë thirrje biznesit shkodran dhe më gjerë për t’u ofruar pranë këtij klubi në mënyrë që ekipi i tij të rrisë performancën në sezonin e ri sportiv. Suel Hadri në cilësinë e përfaqësuesit të Bashkisë dhe Fatos Gjyrezi, administratori i Vllaznisë, sot kanë dalë përpara gazetarëve për të shpjeguar edhe gjithë negociatat me kompaninë zviceriane “Gea Sport” dhe ish- presidentin Valter Fushaj. Hadri ka deklaruar se Bashkia kërkon bashkëpunim por vetëm përmes anës ligjore me biznesmenët e interesuar ose ndryshe, ky institucion do të gjejë mënyrën e duhur për ta financuar klubin. “Në tre sezonet që Bashkia është duke investuar tek Vllaznia, është munduar të bëjë më të mirën me mundësitë që ka patur. Ajo ka investuar mesatarisht 38 milionë lekë në vit. Duke parë mundësitë financiare për pjesën në vazhdim të këtij viti, Bashkia Shkodër u bën thirrje të gjithë personave fizikë dhe juridikë që janë të interesuar për të financuar tek Vllaznia, të bëjnë ofertën e tyre konkrete. Ne kemi hartuar një akt- marrëveshje që po e bëjmë publike dhe ata që janë të interesuar mund të bëjnë kërkesat e tyre duke ndryshuar edhe pikat e mundshme. Por nëse nuk ka interesa për të financuar tek Vllaznia, Bashkia Shkodër në mbledhjen e rradhës të Këshillit Bashkiak, do të gjejë mundësitë për akorduar fondet e duhura për funksionimin sa më mirë të ekipit të futbollit, por pa lënë mënjanë detyrimet e tjera që ka ky institucion”- ka thënë Hadri. Ndërkohë administratori i Klubit të futbollit Vllaznia Fatos Gjyrezi ka lënë të hapur mundësinë e bashkëpunimit sërish me ish- presidentin Valter Fushaj dhe po ashtu, është shprehur edhe për skuadrën e sezonit të ardhshëm. “Me kompaninë zviceriane “Gea Sport” kemi biseduar gjatë por ajo çfarë kërkonte kjo kompani për t’iu njohur paratë si aksione, bëri që çdo gjë të prishej sepse këtë nuk e parashikon ligji. Sa i takon ish- presidentit Fushaj, ai ka shprehur interes për të qenë pranë Vllaznisë por ka disa pika të akt- marrëveshjes për të cilat duhet diskutuar dhe në ditët e ardhshme shpresojmë që të gjendet gjuha e përbashkët. Ai është ende një mundësi por kuptohet që marrëveshja do jetë brenda shoqërisë aksionere, pasi Bashkia Shkodër pret daljen e ligjit të ri të sportit, për të lehtësuar procedurat e shitjes së aksioneve. Sezoni i ri është në prag dhe ne në fakt nuk jemi shumë vonë por megjithatë duhet t’i shpejtojmë gjërat për të mos u gjendur të papërgatitur”- ka thënë ai. Mbledhja e Këshillit Bashkiak do të zhvillohet më 10 korrik dhe atë ditë pritet që të merret një përgjigje përfundimtare për fatin e Vllaznisë së sezonit të ri.
www.vllaznia.al