Bordi i ri nis punën. Kryetar është Xhevdet Amuli

212

Tashmë më nuk ka më dilema. Tek Vllaznia shumë gjëra do normalizohen. Bordi i ri i krijuar që dje ka nisur zyrtarisht punën. Dhe menjëherë ai ka dhënë lajmin e mirë për skuadrën. Ka kaluar rrogat dhe ka garantuar vazhdimësinë e korrektesës edhe në të ardhmen. Njëkohësisht, është zgjedhur edhe kryetari i ri i këtij Bordi që do të jetë Xhevdet Amuli. Ai “de facto” pritet të jetë presidenti aktual i klubit shkodran sepse tashmë shumë gjëra do të jenë në dorën e këtyre pesë këshilltarëve që janë zgjedhur për të drejtuar Vllazninë.
Mbledhja
Ajo është zhvilluar paradreken e djeshme në zyrat e klubit të futbollit Vllaznia. Kanë marrë pjesë të pesë anëtarët e zgjedhur në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak dhe pikërisht Xhemal Bushati, Xhevdet Amuli, Avenir Haxhija, Luan Heta dhe Edip Shiroka. Të pranishëm kanë qenë edhe administratori i klubit Neritan Kalamishi, drejtori sportiv i klubit Armir Grima e juristi i Bashkisë Suel Hadri. Gjëja e parë që është bërë ka qenë konstituimi i këtij Bordi apo Këshilli Mbikëqyrës siç njihet në letra dhe më pas është kaluar në propozimet për kryetarin e tij. Me konsensus është rënë dakord që kryetar i këshillit mbikëqyrës të shoqërisë aksionere Vllaznia të jetë Xhevdet Amuli ndërsa nënkryetar Edip Shiroka. Më pas, janë marrë informacionet e duhura nga drejtuesit e klubit për problemet që ata kanë patur dhe çka është më e rëndësishmja për anën financiare se çfarë duhet për të përballuar vazhdimin e mëtejshëm të sezonit. Siç merret vesh, anëtarët e bordit të ri kanë premtuar se këto fonde do të gjenden në një mënyrë a në një tjetër teksa mund të financojë vetëm Bashkia por do tentohet edhe për gjetjen e sponsorëve.
Kalimi i rrogave
Që në mbledhjen e djeshme, e para për Bordin e ri, është miratuar kalimi i një rroge për momentin të skuadrës. Fondi në fakt ka qenë i miratuar prej disa kohësh nga Bashkia dhe është dashur që të merret Ok i këtij Bordi për ndarjen e tij. Anëtarët e Bordit kanë përcaktuar edhe prioritetet e pagesave që do bëhen derisa të shpenzohen 90 milionët që janë aktualisht gjendje dhe më pas do shihet mundësia që shumë shpejt të gjenden edhe paratë e tjera që duhen për të sistemuar çdo problem që mund të ketë ardhur nga e kaluara. Kjo në fakt është mirëpritur nga drejtuesit aktualë të klubit të cilët janë të mendimit se një mënyrë e tillë e funksionimit të gjërave do të ndikojë për mirë tek skuadra madje duke filluar nga ndeshja e kësaj fundjave me Flamurtarin.
Takimi me skuadrën
Me të mbaruar mbledhjen, Bordi i ri i klubit Vllaznia ka zbritur në dhomat e zhveshjes së skuadrës e cila po bëhej gati për sfidën  e kupës me Kastriotin. Ato janë prezantuar para futbollistëve dhe stafit drejtues nga administratori Kalamishi dhe drejtori sportiv Grima. Pas kësaj, vetë anëtarët e bordit u kanë shpjeguar pjestarëve të skuadrës funksionin që kanë dhe u kanë garantuar se do të bëjnë më të mirën e mundshme që gjërat të rregullohen dhe e ardhmja e Vllaznisë tani e tutje të jetë krejt ndryshe. Kjo gjë natyrisht që ka ngrohur natyrisht të gjithë pjestarët e skuadrës që kanë premtuar se do japin maksimumin për ndryshimin e situatës.

-Kryetari Amuli, një njohje e vjetër e Vllaznisë
Njeriu që është zgjedhur dje për të qenë kryetar i Këshillit Mbikëqyrës të shoqërisë aksionere Vllaznia, nuk është një emër i panjohur për këtë klub dhe për opinionin sportiv. Ai ka qenë vetë sportist teksa është marrë me peshëngritje ndërkohë që në vitet 2003-06 ka mbajtur rolin e zëvendëspresidentit të klubit të futbollit Vllaznia. Pikërisht kjo përvojë në menaxhimin dhe administrimin e tij, ka bërë që anëtarët e tjerë të Bordit ta votojnë atë për postin e kryetarit. Në njëfarë mënyre, me këtë zgjedhje që i është bërë, ai mund të konsiderohet si “presidenti” i klubit përderisa Bashkia i ka lënë çdo gjë në dorë Bordit që ai drejton për të menaxhuar klubin Vllaznia. Detyra e Amulit tashmë është të gjejnë fondet e duhura për skuadrën dhe po ashtu të vendosin vetë për mënyrën si do shpenzohen ato duke eliminuar fjalët dhe akuzat e shumta që janë përdorur herëpashere që flisnin për shpërdorime në këtë klub.

-Anëtarët e Bordit: Tek Vllaznia nuk jemi në funksione politike
Pas mbledhjes së djeshme të Bordit mbikëqyrës, të gjithë anëtarët e tij kanë qenë të një mendimi: Tek Vllaznia nuk jemi në funksione politike. Që do të thotë se në atë pesëshe të zgjedhur nuk do dëgjohet asnjëri fjala i djathtë apo i majtë. Të pesë këto anëtarë do të mendojnë dhe do të bëjnë më të mirën për Vllazninë. Në fakt kjo është ajo që kërkohet. Jo më kot është përdorur shpesh edhe fjalia “ngjyrat e Vllaznisë janë kuq dhe blu dhe për këtë arsye asnjëherë për të nuk duhet folur si i kuq apo si blu nisur nga ngjyrimet politike që përfaqësojnë”.

© vllaznia.al