Canaj: S’mendojmë për vendin e dytë. Duhet patjetër të mundim Bylisin

216

Skuadra shkodrane duket e gatshme për ndeshjen e rradhës me Bylisin që do të zhvillohet ditën e dielë. Ajo ka zhvilluar paradreken e sotme seancën e fundit stërvitore dhe më pas ka nisur grumbullimin në njërin nga hotelet e qytetit tonë. Trajneri Agim Canaj duke folur për mediat në lidhje me atmosferën në skuadër, ka bërë thirrje për kujdes në ndeshjen e rradhës sepse sipas tij, diferenca mes skuadrave në kampionatin shqiptar është shumë e vogël. “Kemi disa probleme sërish me formacionin teksa nuk do ta kemi të gatshëm Gocajn për shkak të problemeve që ka patur. Megjithatë duhet t’ia dalim edhe me këto probleme dhe sigurisht që kërkohet shumë kujdes nga ana e futbollistëve tonë. Vërtetë jemi më mirë në renditje dhe po ashtu luajmë në fushën tonë, por në asnjë mënyrë nuk duhet nënvlerësuar kundërshtari. Gjatë këtyre ditëve jemi munduar të shohim disa gjëra për të rregulluar në lojë dhe besoj se skuadra do dijë të tregojë vlerat e veta për të arritur rezultatin që ne të gjithë dëshirojmë”- ka thënë ai. Ditën e djeshme, skuadra e Teutës së Durrësit, një nga më të mirat e kampionatit, ka humbur në fushën e saj me Kastriotin dhe në rast fitoreje të Vllaznisë ndaj Bylisit, do të thotë se skuadra shkodrane nesër do ngjitet në vendin e dytë. Tifozët kuqeblu në fakt kanë filluar të mendojnë për këtë gjë por trajneri Canaj mendon se llogaritë duhen bërë ndryshe. “Teuta ka humbur por ne nuk e kemi mendjen aty. Së pari duhet të bëjmë detyrën tonë, të marrim tre pikët ndaj Bylisit dhe të jemi në rregull. Sa i takon formacionit, e thashë që nuk do luajë Gocaj por në vend të tij është Beqiri ndërsa pjesa tjetër është po ajo që luajti ndaj Partizanit por sigurisht që do ndryshojmë diçka në mënyrën e të luajturit në mënyrë që ta fitojmë këtë ndeshje”- ka thënë Canaj.Ndeshja Vllaznia- Bylis do të luhet të dielën në orën 14.00 në stadiumin “Loro Boriçi” dhe siç është bërë e ditur tashmë, ajo do të luhet me praninë e tifozëve pas vendimit të klubit shkodran për të shlyer penalizimin e marrë me vlerën e duhur financiare. Kjo do jetë një shtysë më tepër që kuqeblutë ta fitojnë këtë ndeshje.
© vllaznia.al