Canaj: Trepikëshi në Kukës, me shumë vlera për Vllazninë

264

Në Shkodër mbase shumëkush është habitur nga fitorja e Vllaznisë të shtunën në Kukës. Jo se nuk e kanë dashur këtë fitore por sepse nuk kishin shumë besim se do të ndodhte. Paraqitja shumë e keqe në ndeshjen e parë me Flamurtarin, shoqëruar edhe me humbje, mungesa e stabilitetit në lojë dhe shumë arsye të tjera, I kishin bërë të gjithë pesimistë. Jo më kot, drejt Kukësit ka udhëtuar vetëm një numër I reduktuar tifozësh kuqeblu. Megjithatë në fushën e lojës është parë tjetër gjë. Ndoshta pjesa e parë nuk ka qenë aq e mirë për Vllazninë megjithatë e dyta ka qenë krejt tjetër gjë. Aq sa ajo ka arritur jo vetëm të shënojë tre gola në portën e Halilajt por edhe të bëjë të gjithë tifozët kukësian të brohorasin në kor “Vllaznia, Vllaznia”. Një lojë e kujdesshme e cila erdhi duke u rritur, një portier si Vujadinoviç që vazhdon të jetë garanci e madhe në prapavijë, një Rajoviç I pakalueshëm në mbrojtje, një Bushiç në sulm që fitoi çdo dyluftim me mbrojtësit kundërshtar, pa përmendur pastaj dy të rinjtë, Krujën dhe Bardullën që me futjen e tyre në lojë, I dhanë gjallëri mesfushës. Jo më kot, trajneri Canaj në fund të ndeshjes është parë tejet I entuziasmuar me fitoren e arritur. “E kisha paralajmëruar që para ndeshjes se do të shfrytëzonim presionin në të cilin ndodhej skuadra e Kukësit për ta fituar me çdo kusht këtë ndeshje. Natyrisht që në pjesën e parë nuk u ngjitëm ndoshta në lartësinë e duhur megjithatë në të dytën kemi bërë gjithçka mirë. Kontrolluam mesfushën, shfrytëzuam daljet pas shpinës së kundështarit dhe në fund, iu gëzuam fitores e cila na rehabiliton nga humbja që pësuam me Flamurtarin në javën e parë”- ka thënë ai.
Trajneri I matur. S’lavdëron askënd
Ajo që bie në sy tek trajneri Canaj është maturia me të cilën punon. Ai asnjëherë nuk është ndalur në emra të posaçëm të ekipit të tij. Ka lavdëruar apo kritikuar të gjithë në grup. Kështu ka bërë edhe pas humbjes me Flamurtarin në javën e parë duke fajësuar të gjithë futbollistët për paraqitjen e dobët. Kështu ka bërë edhe të shtunën pas fitores me Kukësin duke mos lavdëruar ata që kontribuan më tepër në arritjen e kësaj fitoreje. I pyetur nëse ishte mesfushori Kruja njeriu I ndeshjes ngaqë shënoi dy golat e fundit të saj, Canaj është përgjigjur: “Kruja por edhe Bardulla e Dema janë djem të rinj të cilët po japin kontributin e tyre tek kjo skuadër megjithatë ato nuk duhet të kënaqen me këtë që kanë arritur por duhet të punojnë dhe më shumë për t’u rritur edhe më tepër si futbollistë”.
Pragndeshja me Tiranën
Në kampin shkodran nuk do të ketë shumë kohë për t’iu gëzuar fitores me Kukësin. Të mërkurën, ata I pret ndeshja e rradhës me Tiranën e cila është po aq e vështirë dhe sigurisht që ndaj saj duhet arritur një tjetër fitore për të vazhduar këtë rrugë. Këtë gjë thotë edhe trajneri Canaj kur shprehet: “Fitoren me Kukësin nuk duhet ta trumbetojmë shumë dhe për këtë I kam porositur futbollistët e mi sepse nuk kemi kohë për këtë gjë. Të mërkurën është ndeshja e rradhës me Tiranën dhe duhet të përqendrohemi maksimalisht për këtë ndeshje sepse nëse nuk fitojmë ndaj saj, nuk vlen fare trepikëshi që morëm në Kukës”.
Gjergj KOLA