Cungu: Do të bëjmë një ndeshje të mirë ndaj Partizanit

223

Pragndeshja me Partizanin është karakterizuar nga një klimë shumë pozitive në kampin shkodran. Disa prej lojtarëve të cilët kanë qenë të dëmtuar, pothuajse i kanë lënë pas ato dhe janë të gatshëm për ndeshjen. Pasditen e sotme ekipi ka zhvilluar seancën e fundit në “Reshit Rusi” dhe më pas është nisur për në grumbullim. Atmosfera duket shumë e mirë dhe këtë e konfirmon edhe vetë trajneri Armando Cungu në prononcimin e tij për mediat një ditë para ndeshjes së rradhës, ashtu siç ndodh zakonisht çdo javë. “Besoj se atmosfera është e mirë. Edhe para stërvitjes së sotme, kemi qëndruar disa minuta bashkë me skuadrën në një takim të shkurtër dhe aty ishin edhe drejtuesit e klubit që na dhanë mbështetjen e duhur dhe përgjithësisht kemi të bëjmë me një klimë shumë pozitive. Kemi ende ndonjë problem me dëmtimet por ky nuk është justifikim. Tashmë duhet të mendojmë veç për ndeshjen me Partizanin për ta kaluar me sukses atë”. Ndërkohë, i pyetur nëse do të ishte i kënaqur edhe me një barazim, numri 1 i pankinës shkodrane do të përgjigjej: “Unë si trajner dhe përveç meje kushdo tjetër qoftë, futbollistë apo drejtues, nuk duhet të hyjë në një ndeshje me objektiv për të barazuar apo humbur. Prandaj edhe këtë herë, pavarësisht se luajmë ndaj Partizanit, do të hyjmë në fushë për të fituar. Se çfarë do sjellë loja, kjo mbetet për t’u parë. Të mos harrojmë se përballë do kemi një kundërshtar shumë të fortë që prej 2-3 sezonesh lufton për titullin kampion dhe tashmë, edhe pas eliminimit në kupë, besoj se do të vijë në Shkodër më i karikuar. Për të gjitha këto arsye, nuk besoj se do të ishte keq edhe një barazim, sepse në fund të fundit një pikë është dhe këto pikë të hyjnë në punë pastaj në fund të kampionatit kur bën llogaritë”. Ndeshja do të luhet në “Loro Boriçi”, stadium në të cilin Vllaznia këtë sezon sa herë që ka luajtur aty, ka treguar se është me fat për të. Këtë dëshiron edhe trajneri i saj Cungu kur në fund do të shprehej: “Dy herë kemi luajtur këtë sezon në këtë stadium dhe në të dy rastet, kemi zhvilluar lojëra të mira dhe kemi marrë rezultate pozitive. Të shpresojmë se do të ndodhë kështu edhe nesër, duke shpresuar në një mbështetje të madhe edhe të tifozëve tanë në këtë takim shumë të rëndësishëm”.

© vllaznia.al