Cungu: Me Luftëtarin nesër në Peqin, Vllaznia do vetëm fitoren

224

Mesjava rikthehen në vëmendje sërish Superligën shqiptare. të mërkurën në orën 14.00 në stadiumin e qytetit të Peqinit, do të luhet takimi Luftëtari- Vllaznia. Skuadra shkodrane ka zhvilluar përgatitjet e fundit për këtë ndeshje dhe sipas trajnerit Armando Cungu, objektivi i saj është i qartë, marrja e fitores në këtë takim. “Mendoj se kemi lënë pas çdo gjë sa i takonte humbjes me Skënderbeun dhe unë bashkë me sportistët,kemi nxjerrë përgjegjësitë e asaj loje të dobët. Sigurisht që më pas, kemi nisur të mendojmë për ndeshjen e rradhës me Luftëtarin. Kampionati jonë tani fillon me këto tre skuadrat që do të ndeshemi në javët e ardhshme. Pikësëpari duhet të mendojmë për ballafaqimin me gjirokastritët të cilin duhet ta fitojmë. Mendoj se i kemi mundësitë për ta bërë një gjë të tillë. Kemi përbërje më të mirë, mendoj se edhe jemi stërvitur më mirë prandaj nuk ka arsye pse të mos kërkojmë vetëm fitoren”- ka thënë ai për gazetarët në konferencën e sotme për shtyp. Megjithatë, për stafin teknik të kuqebluve problem do të jetë mungesa e disa futbollistëve gjithsesi Cungu thotë se i ka marrë masat për të luajtur edhe pa këto futbollistë. “Kemi disa mungesa objektive dhe subjektive. Kështu Marku mungon prej tre javësh për arsye dëmtimi dhe po ashtu, po për arsye objektive është edhe mungesa e Krymit me kartona. Por për arsye subjektive mendoj se nuk do të kemi të gatshëm Gurishtën dhe Vecajn. Ata mbërrijnë sonte në darkë nga Izraeli ku kanë qenë me kombëtare U-21. Kanë luajtur mbrëme, janë lodhur nga rruga dhe për rrjedhojë nuk mund të jenë në fushë. Ndoshta drejtuesit e Federatës duhej t’i kishin menduar më mirë këto punë megjithatë ne do vazhdojmë punën tonë dhe të mendojmë për t’i zëvendësuar këto futbollistë. Gjatë këtyre ditëve kam vëzhguar nga afër edhe Kalajën, Krujën dhe Çinarin. Kam dashur t’i kem në vëmendje sepse mund të ketë edhe ndryshime në formacion por të presim. E sigurtë është se në fushë nesër do të jenë ato futbollistë që janë paraqitur më mirë në stërvitje këto ditë”- ka thënë “timonieri” i kuqebluve. Vllaznisë i duhet patjetër që të kërkojë fitoren në këtë takim për t’u rikthyer kështu tek rezultatet pozitive por edhe për të shfrytëzuar kalendarin e favorshëm që ajo ka në javët e ardhshme të kampionatit në mënyrë që të arrijë edhe objektivin që ka në këtë kampionat.

© vllaznia.al