Cungu: Në Durrës Vllaznia shkon për të kërkuar fitoren

232

Një ditë para ndeshjes së rradhës, asaj që Vllaznia do të luajë në Durrës ndaj Teutës, në kampin shkodran ka besim për fitore. Një gjë e tillë konstatohet tek të gjithë pjestarët e tij, duke nisur nga administratori Gjyrezi dhe duke përfunduar tek futbollistët. Trajneri Armando Cungu në konferencën e sotme për shtyp ka thënë se atmosfera në skuadër është e mirë. “Natyrshëm që pas një fitoreje siç ishte ajo ndaj Skënderbeut, nuk ka pse të mos jetë e kënaqshme. Por njëkohësisht gjatë gjithë javës kam vërejtur seriozitet dhe nuk kam vërejtur eufori tek djemtë, gjë që unë e kisha kërkuar që pas ndeshje me korçarët të mos ishte prezent në ekipin tonë sepse kemi kaluar vetëm një javë kampionati dhe kemi edhe 17 të tjera për të zhvilluar”- është shprehur ai në fillim të prononcimit të tij. Megjithatë kjo javë nuk ka qenë e qetë sepse përveç mungesave të Sefës dhe Krymit, stafin teknik e ka shqetësuar edhe dëmtimi i mbrojtësit Arbri. I pyetur nëse ai do të jetë nesër në fushë, tekniku i kuqebluve është përgjigjur: “Për problemin e Arbrit nuk jemi ende të vendosur përfundimisht se çfarë do bëjmë. Ai ka një problem të vjetër dëmtimi ndërkohë që mua si trajner më intereson që ta kemi sportistin në dispozicion për një afat sa më të gjatë sepse është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne. Por, nëse sportisti dhe stafi mjekësor e shohin të arsyeshme që ai mund të luajë, natyrisht që do ta ketë vendin në formacion por deri nesër do shohim”. Takimi luhet në transfertë dhe në pamje të parë, shkodranët duhet të jenë të kënaqur edhe me një barazim por Cungu nuk mendon kështu prandaj shton: “Në karakterin tim, kudo ku kam qenë si sportist, por edhe si trajner, nuk jam pajtuar kurrë me rezultate të tjera përveç fitores. Kështu që nuk bën përjashtim as kjo ndeshja ndaj Teutës pavarësisht se jemi të bindur për forcën e ekipit kundërshtar sepse është një ekip që duhet respektuar, ekip simpatik me djem të rinj të cilët por kjo nuk e zbeh objektivin tonë për të kërkuar trepikëshin por gjithsesi t’ia lëmë fushës së lojës. E rëndësishme është për mua që djemtë të kenë po të njëjtin shpirt gare siç e patën ndaj Skënderbeut dhe nëse jemi po aq solid, natyrisht që do kemi një rezultat pozitiv. Gjithsesi mbetet ta shohim ekipin sepse është përballja e parë jashtë fushës tonë dhe do shoh si do sillen futbollistët e mi në ndeshjet jashtë”.
© vllaznia.al