Cungu: Përderisa mundëm Skënderbeun, pse të mos e mundim edhe Partizanin?!

199

Një ditë para ndeshjes me Partizanin, në kampin shkodran ka besim për fitore. Natyrisht që kjo nuk do të jetë e lehtë por kuqeblutë janë të vendosur për të bërë më të mirën e mundshme në fushën e lojës. Trajneri i tyre Armando Cungu në prononcimin për mediat, ka shprehur optimizmin e tij për gjendjen e skuadrës pavarësisht gjendjes gripale të disa futbollistëve megjithatë objektivi i saj nuk ndryshon, është vetëm fitorja. “Gjendja përgjithësisht është e mirë pavarësisht se kemi probleme me disa futbollistë që po kalojnë një gjendje gripale megjithatë të shohim deri nesër të jenë në gjendjen e tyre optimale për lojë.Natyrisht që objektivi jonë është i qartë edhe për këtë ndeshje- fitorja. Nuk bën asnjë ekip i Superligës përjashtim nga kjo gjë në mënyrë që të mendojmë të hyjmë në fushën e lojës për të barazuar. Historikisht Vllaznia e Shkodrës në çdo fushë ka hyrë për të fituar dhe në këtë rrugë duhet të vazhdojmë”. Trajneri i Vllaznisë deklaron se bashkë me futbollistët çdo ditë është duke u mundur të korigjojë ato gabime që skuadra shfaqi në 15 minutat e para të ndeshjes me Teutën apo që i ka shfaqur edhe vazhdimësi por sipas tij, kjo gjë do kohën e vet. Sa i takon ndeshjes, Cungu bën të qartë se Vllaznia ka marrë masat e veta për të fituar ndeshjen në fushën e lojës dhe shpreson që edhe Partizanin t’i marrë në fushën e lojës sepse nëse ndeshja luhet normalisht, nuk ka pse të quhet çudi nëse fiton Vllaznia ngaqë ajo ka mundur edhe Skënderbeun. “Ne për ta fituar këtë ndeshje i kemi marrë masat për në fushën e lojës. Kështu që shpresoj se edhe Partizani t’i marrë për në fushën e lojës. Ekipi kundërshtar normalisht që meriton respekt, është një ekip që ka investuar shumë, ka shumë kualitete në gjirin e saj por kjo nuk do të thotë se është i pamposhtur. Përderisa mposhtëm pesë herë kampionët e vendit, Skënderbeun, pse të mos e bëjmë të njëjtën gjë edhe me Partizanin”- ka thënë ai plot besim.Numri 1 i pankinës shkodrane ka folur edhe për dy lojtarët e huaj të ardhur në provë por ka lënë të kuptohet se ka pak shanse që ata të qëndrojnë. Në këtë mënyrë, tek Vllaznia të gjithë janë të përqendruar tek takimi me Partizanin që do të luhet të shtunën në orën 13.00 në “Reshit Rusi”.

© vllaznia.al