Cungu: Skënderbeu me meritë i pari por Vllaznia mund ta ndalë

208

Optimizëm në kampin shkodran në prag të ndeshjes së rradhës, asaj që Vllaznia do të luajë ndaj Skënderbeut në Korçë. Një gjë e tillë konstatohet tek të gjithë pjestarët e saj dhe në veçanti duket edhe tek trajneri Armando Cungu. në prononcimin e tij për mediat siç ndodh zakonisht një ditë para ndeshjes së rradhës, numri 1 i pankinës shkodrane është shprehur entuziast për marrjen e një rezultati pozitiv në këtë takim. “Natyrisht që jemi gati për këtë ndeshje. Kuptohet që do ta donim ta kishim luajtur në Shkodër, për të shfrytëzuar momentin e mirë që po kalojmë por edhe për të patur pranë tifozët tanë, megjithatë tashmë kjo nuk është një problem. Luajmë ndaj një skuadre shumë të fortë por kjo nuk na trem. Edhe Vllaznia po kalon një moment të mirë dhe prandaj duhet ta shfytëzojmë atë, për të synuar rezultat pozitiv edhe ndaj Skënderbeut. Nuk do ishte çudi nëse do ta merrnim atë. Vërtetë korçarët kryesojnë me meritë kampionatin por edhe ne kemi synimet tona për të mos dalë pa pikë nga kjo ndeshje”- ka thënë numri 1 i pankinës shkodrane.Në këtë takim do të ketë dy mungesa të rëndësishme siç janë ato të Markut dhe Bardullës megjithatë trajneri Cungu është optimist se ata që do t’i zëvendësojnë do të bëjnë detyrën, edhe për të ruajtur rekordin 43 vjeçar të mospësimit të golit nga Vllaznia. “Njëfarë problemi na krijohet me mungesën e këtyre lojtarëve sepse kishim krijuar stabilitet me ta, si në krahun e majtë të mbrojtjes ashtu edhe në qendër të mesfushës. Megjithatë, skuadra është e përbërë nga 25 futbollistë dhe secili prej tyre duhet të tregojë vlerat e tyre më të mira, prandaj dhe nuk jam shumë i merakosur në këtë drejtim. E rëndësishme është që këta djem ta kuptojnë, këtë e them në bazë të statistikave që ju vetë si gazetarë keni nxjerrë, kanë barazuar një rekord 43 vjeçar të mospësimit të golave në katër ndeshjet e para të kampionat. Pse jo, këtë rekord ta çojmë edhe më tej për të ruajtur të paprekur portën tonë. Njëkohësisht, e kemi të qartë se puna jonë nuk është vetëm të mbrohemi. Duhet edhe të shohim përpara. Vërtetë kemi shënuar pak deri më tani por kjo sipas mendimit tim, nuk ka ardhur ngaqë ka ndonjë problem. Thjesht është një ngërç psikologjik që futbollistët kanë dhe mendoj se ata do ta kalojnë atë”- është shprehur Cungu.Ndeshja Skënderbeu- Vllaznia luhet të shtunën në orën 17.00 në stadiumin e qytetit të Korçës dhe ekipi shkodran do të mundohet të mosthyhet as këtë herë. Një besim që vjen  nga kontigjenti që skuadra ka por edhe puna që është bërë në stërvitje.
© vllaznia.al