Cungu: Vllaznia do tentojë pikë edhe ndaj Partizanit

215

Vllaznia ka lënë krejtësisht pas barazimin me Kukësin të arritur tre ditë më parë dhe tashmë vëmendja është e përqendruar tek takimi i rradhës me Partizanin që do të luhet pasditen e nesërme në Elbasan. Trajneri Cungu sot ka dalë para mediave për të folur pikërisht në lidhje me këtë takim. I pyetur fillimisht nëse skuadra është gati për këtë ballafaqim të rradhës, ai ka thënë: “Normalisht që jemi gati për këtë ndeshje. është shumë e vështirë, madje unë do t’i konsideroja të tilla të gjitha ndeshjet e këtij kampionati. Partizani është një ekip që pretendon për të dalë kampion, ka një kontigjent shumë të plotë, është një ekip me investime të mëdha megjithatë kjo nuk do të thotë se ne thjesht do të shkojmë për të kaluar rradhën por do të shkojmë me synime të qarta për të marrë pikë. Jam i bindur se nëse djemtë do të jenë seriozë dhe do të zbatojmë ato detyra që ne si staf teknik do u japim si dhe të tregojnë po të njëjtin karakter siç treguan ndaj Kukësit, e them me bindje të plotë se nuk do të dalim pa rezultat pozitiv nga ky takim”. I pyetur nëse e tremb diçka nga kundërshtari i rradhës, numri 1 i pankinës shkodrane ka deklaruar: “Absolutisht nuk më tremb as Partizani dhe askush tjetër në Shqipëri. Realisht mund të them se më tremb vetëm impenjimi jonë. Kjo sepse shoh edhe pak shenja euforie tek futbollistët. Ndoshta janë ndikuar edhe nga opinioni sportiv në Shkodër që këto ditë na ka përgëzuar për lojën e mirë që zhvilluam ndaj Kukësit por unë dua të them se nuk mjafton asnjëherë performanca e mirë. Ndonjë futbollist është i vetëkënaqur por në fakt nuk kemi bërë asgjë më tepër përveçse kemi lënë dy pikë në fushën tonë. Prandaj ndaj Partizanit duhet të bëjmë shumë kujdes. Nuk i trembem asnjë individi nga kjo skuadër, por vetëm vetëvetes që të mos kalojmë në vetëkënaqësi pas një ndeshje të pëlqyeshme me Kukësin”. Megjithatë ka edhe një dilemë në këtë pragndeshje. Atë të ndihmës së mundshme të Partizanit nga arbitrat siç dhe ndodhi javën e kaluar në Gjirokastër. I pyetur nëse i druhet një fati të tillë edhe nesër, trajneri i Vllaznisë Cungu ka thënë: “Nuk kam dëshirë të merrem me gjëra të tilla sepse edhe kur flasim, na sulmojnë për këto deklarata që bëjmë. Në këto kushte, do të fokusohem tek puna me ekipin tim, do t’i bëj siç duhet djemtë për këtë ndeshje dhe kaq. Për pjesën tjetër të lojës, nuk jemi ne aktorët që vendosim gjithçka sepse ka edhe regjisorë që merren me këto gjëra”. Trajneri i kuqebluve ka njëfarë frike në këtë drejtim megjithatë kërkon të shohë përpara, madje në fund të prononcimit të tij shpreh optimizëm edhe për marrjen e tre pikëve në këtë përballje, prandaj thotë: “Ne do të luajmë me kujdes në prapavijë dhe do të kërkojmë të jemi shumë cinike në daljet tona para portës së kundërshtarit. Prandaj askush të mos e marrë për çudi edhe nëse fitojmë ndaj Partizanit”.

© vllaznia.al