Disiplina i jep fitoren 3-0 në tavolinë Vllaznisë në Kukës

139

Vllaznia nuk ka fituar 3-1 por 3-0 në ndeshjen e fundit në Kukës. Vendimi është marrë sot nga ana e Komisionit të Disiplinës pasi ka marrë në shqyrtim incidentet e ndodhura në ndeshjen Kukësi- Vllaznia ditën e shtunë pikërisht në fundin e saj kur u hodhën shumë gurë dhe sende të tjera në fushën e lojës. Për këto, edhe loja u pat ndërprerë për 7-8 minuta. Në kushte të tilla, Disiplina ka vendosur të zhvlerësojë rezultatin 3-1 që u arrit në fushën e lojës dhe t’i japë fitoren 3-0 në tavolinë ekipit të Vllaznisë. Njëkohësisht skuadra e Kukësit është dënuar edhe për moszhvillimin e katër ndeshjeve të tjera jashtë qytetit të saj. Me këtë vendim, nuk ndryshon asgjë për Vllazninë përveçse ka një gol më pak të pësuar në golaverazh por nga ana tjetër, nuk do u njihen golat Krujës dhe Bushiç. Ja vendimet e plota të këtij komisioni, dhënë ditën e sotme.

1. KF “Flamurtari“ për dështim në përmbushjen e përgjegjësive për sigurinë e zyrtarëve të klubit kundërshtar, diskriminim të ekipit kundërshtar dhe përgjegjësi për sjelljen e spektatorëve dënohet me zbritjen e 3 pikëve nga klasifikimi i përgjithshëm dhe zhvillimin e 4 ndeshjeve jashtë stadiumit përkatës.
2. “Kuksi ”për hedhje të sendeve të forta në fushën e lojës duke shkaktuar ndërpreje përfundimtare të ndeshjes dënohet me humbje në tavolinë me rezultatin 3-0 dhe zhvillimin e 4 ndeshjeve jashtë stadiumit përkatës.
3. “KF Besa” për sjellje të gabuar të spektatorëve paralajmërohet se në rast përsëritjeje do të dënohet me zhvillimin e 2 ndeshjeve pa spektatorë në stadiumin përkatës.
4. “KF Laci“ për dështim në përmbushjen e përgjegjësive për organizimin e një ndeshje dënohet me gjobë në vlerën e 50.000 lekëve.
5. Lojtari i Albpetrolit, Hekuran Korreshi, për goditje ndaj lojtarit kundërshtar dënohet me 5 ndeshje pezullim nga aktiviteti.
6. Lojtari i Shkumbinit, Aldo Branica, për goditje ndaj lojtarit kundërshtar dënohet me 6 ndeshje pezullim nga aktiviteti.
7. Pogradeci, Albpetroli dhe Elbasani paralajmërohen se në rast të përsëritjes së problemeve të ndodhura për vonesë në fillimin e ndeshjeve  do të penalizohen sipas dispozitave të KDS, bazuar në nenin 13 .