Disiplina jep verdiktin. Vllaznia e femrave është “Ok” për të huajat

214

Komisioni i Disiplinës pranda Federatës Shqiptare të Futbollit i ka dhënë një përgjigje përfundimtare pretendimeve të drejtuesve të ekipit të Kinostudios në futbollin e femrave për dhënien e ndeshjes 3-0 aforfe atyre, pikërisht të ballafaqimit të tre javëve më parë me Vllazninë në Shkodër, të cilin e patën humbur në fushë me rezultatin e thellë 0-7. Pretendimi i këtij ekipi ka qenë se gjoja Vllaznia ka aktivizuar njëherazi, në kundërshtim me rregulloren, katër futbolliste të huaja. Nëse vërtetohej kjo, atëherë skuadra shkodrane detyrimisht që do ta humbiste ndeshjen në tavolinë. Ai që i ka ngatërruar edhe më shumë gjërat ka qenë protokolli i ndeshjes i plotësuar nga gjyqtari. Në bazë të këtij protokolli të dorëzuar edhe në Federatë, rezulton kështu që të jenë aktivizuar katër futbolliste të huaja në fushë njëherazi. Me t’u sinjalizuar për këtë gjë, presidenti i Vllaznisë për femra  Lazer Matija, ka shkuar në Federatë duke depozituar diskun e ndeshjes dhe fotot e saj ku dalloheshin qartë dhe binin poshtë pretendimet e ekipit të Kinostudios. Bazuar në këto fakte të pakontestueshme, Komisioni i Disiplinës sot e ka hedhur poshtë kërkesën e këtij ekipi për të marrë fitoren në tavolinë. Por më shumë sesa ky vendim, Federata duhet të ndalet tek gabimi në protokoll. Me një shkresë zyrtare Klubi Vllaznia ka kërkuar nga institucioni që drejton futbollin shqiptar të marrë masat maksimale ndëshkuese ndaj atyre që kanë prekur protokollin sepse dyshimet janë se gjithçka është bërë me dashje ngaqë një gabim i tillë gjoja është konstatuar me dy javë vonesë dhe kjo është tërësisht e palogjikshme. Sigurisht që duhen marrë masa ndaj atyre që e kanë bërë këtë gjë sepse lind pyetja: Çfarë do kishte ndodhur nëse Vllaznia nuk do kishte patur kasetën e ndeshjes dhe fotot e saj? Detyrimisht nga ato çfarë ka raportuar gjyqtari, skuadra shkodrane do ta kishte humbur këtë takim në tavolinë dhe bashkë me të ndoshta edhe kampionatin. Prandaj fajtorët duhen ndëshkuar maksimalisht për këtë veprim të bërë.
© vllaznia.al