Dy gola të Bushiç. Vllaznia “likujdon” Lushnjën me rezultatin 2-0

209

Dy golat e sulmuesit kroat Tomislav Bushiç në pjesën e dytë, i kanë mjaftuar Vllaznisë të mundë Lushnjën me rezultatin 2-0. Ka ndodhur kështu në ndeshjen e luajtur pasditen e sotme në stadiumin “Loro Boriçi” në praninë e një numri jo shumë të madh tifozësh. Ata natyrshëm nuk ishin të kënaqur nga rezultatet e ndeshjeve të fundit të skuadrës së tyre.Ndonëse kuqeblutë vinin me mungesa në këtë ndeshje, ato nuk janë ndjerë. Në pjesën e parë në fakt loja nuk është ngjitur aty ku duhet. Vetëm tre raste për Vllazninë teksa në minutën e 8-të Shtubina duhej të kishte shënuar me kokë por topi është pritur nga portieri Spaho, në minutën e 17-të Hajdari shmang tre futbollistë dhe gjuan mbi traversë ndërsa në minutën e 45-të Hajdari ekzekuton një goditje dënimi dhe topi kalon ngjitur me shtyllën. Fillimi i pjesës së dytë shoqërohet me dy zëvendësime të menjëherë nga ana e trajnerit Samuel Nikaj që e drejtonte skuadrën në këtë takim për shkak të pezUllimit të Canajt. Tafili i lë vendin Bardullës ndërsa Shtubina Dibrës. Loja fiton menjëherë ritëm dhe në minutën e 47-të Hajdari gjuan në drejtim të portës. Topi pengohet në dorën e Bizhytit dhe gjyqtari Ziri fare pranë aksionit akordon 11-metërsh. Nga pika e bardhë është kroati Bushiç që gjuan saktë dhe kalon në avantazh skuadrën e tij. Nje gol qe ai ia dedikon vajzes se sapolindur. Pas këtij goli, kuqeblutë fitojnë qetësinë. Krijojnë edhe raste të tjera por për të mbërritur tek goli i dytë duhej të prisnin deri në minutën e 78-të. Kruja ka hyrë në zonë, pason tek Bardulla, topi shkon në drejtim të portës dhe Bushiç me një intuitë të fortë e ndjek atë duke i ndërruar drejtim, drejtëpërdrejtë në rrjetë. Në minutën e 88-të Hajdari del i vetëm përballë portierit Spaho, e dërgon topin mbi të por ai kalon ngjitur me shtyllën e majtë pingule. Përfundimisht 2-0 për Vllazninë që ngjitet në kuotën e 21 pikëve duke mbajtur vendin e pestë në renditje. Kuqebluve tashmë u duhet të bëhen gati për ndeshjen e kupës të së mërkurës me Partizanin po

Vllaznia- Lushnja 2-0

Vllaznia:  Selimaj, Gocaj, Beqiri, Sykaj, Semina, Kraja, Tafili (Bardula 46’) Kruja , Shtubina (Dibra 46’), Hajdari, Bushiç (Vecaj 90’).Tr. S.Nikaj

Lushnja: Spaho, Sula, Bizhyti, Bakiasi (Gjyla 21’), Sulo, Topi (Dervishi 64’), Trashi, Koreshi, Mihani, Tiodoroviç, Canka . Tr.A.Bano

Gjyqtarë: B.Ziri,  E.Veseli, Sh.Ziri (Fush Krujë)

Shënues: Bushiç 47’ (11-m),  78’

Karton I verdhë: Shtubina, Hajdari / Bizhyti

© vllaznia.al