Ekipet e Akademisë Vllaznia,dy fitore edhe në javën e katërt

237

Katër javët e para të kampionatit kanë qenë shumë të mbara për ekipet e Akademisë Vllaznia. Ato kanë fituar edhe në ndeshjet e djeshme, ato të luajtura ditën e djeshme në kryeqytet ndaj ekipeve respektive të Internacional. Ekipi U-17 ka fituar me rezultatin 3-1 ndërsa ai U-19 ka fituar  1-0.E rëndësishme është që të dy këto ekipe ndodhen në vendin e parë në renditje, çka premton se do të zhvillojnë një kampionat të mirë sivjet. Në ndeshjen e 17 vjeçareve, Vllaznia më në fund pësoi gol teksa Rexhepi ka shënar në minutën e 33-të në portën e mbrojtur nga Qarri. Megjithatë reagimi i futbollistëve shkodranë ka qenë i menjëhershëm. Qardaku ka shënuar golin e barazimit dhe pak minuta më vonë, po ky futbollist do të shënonte edhe golin e avantazhit. Pjesa e parë do të mbyllej në këtë mënyrë me fitoren e ekipit të drejtuar nga trajnerët Lika e Xhahysa me rezultatin 2-1. Edhe në pjesën e dytë, do të jenë po ata që do të dominojnë në fushë dhe Hoxha do të shënonte edhe golin e tretë duke mbyllur krejt ndeshjen me rezultatin 3-1. Vllaznia U-17 në këtë mënyrë siguron fitoren e katërt në po kaq ndeshje të luajtura duke udhëhequr renditjen bashkë me Shkëndinë e Tiranës, skuadër me të cilën do të ndeshen javën e ardhshme në “Reshit Rusi”.Edhe Vllaznia U-19 ka arritur një fitore të rëndësishme ditën e djeshme ndaj Internacionalit me rezultatin 1-0, ku golin e vetëm të takimit e ka shënuar kapiteni Pusi. Me këtë fitore, ekipi shkodran është ngjitur edhe ai në vendin e parë në renditje me tre fitore dhe një barazim të arritur duke treguar se është në rrugë të mbarë.
© vllaznia.al