Endri Vrapi: Tek Vllaznia erdhi prej emrit të madh të saj

229

Pavarësisht shumë tentativave, Endri Vrapi mbetet deri më sot I vetmi futbollist I ardhur tek Vllaznia në merkaton e janarit. Në të parin prononcim për mediat si futbollist kuqeblu, mbrojtësi kryeqytetas është shprehur I kënaqur që ka zgjedhur këtë skuadër për vazhdimin e karrierës së tij e po ashtu, ka bërë të ditur se një shtysë për këtë zgjedhje ka qenë shkodrani Xhevahir Sukaj. “Jam i kënaqur me zgjedhjen që kam bërë sepse nga një klub i madh si Partizani, kam ardhur tek një tjetër klub i madh si Vllaznia. Besoj se bashkë me futbollistët që ka aktualisht skuadra, besoj se do të bëj më të mirën për të. Një nga shkaqet kryesore që unë zgjodha Vllazninë, ishte miku im Xhevahir Sukaj që më nxiti ta bëja një gjë të tillë. Futbolli i bukur që kjo skuadër ka bërë në vite, më shtyu t’i them “po” ofertës së ardhur nga drejtuesit e saj”- është shprehur mbrojtësi 33 vjeçar që ka firmosur deri në fund të sezonit për kuqeblutë. Vrapi do të debutojë për skuadrën shkodrane pikërisht të dielën në ndeshjen e kupës ndaj Skënderbeut. Pikërisht në lidhje me këtë takim, ai ka deklaruar se Vllaznia do të tentojë të marrë një rezultat sa më pozitiv e po ashtu, ka folur edhe për pretendimet e skuadrës në kampionat. “Besoj se jam në formën time më të mirë dhe do të mundohem të jap gjithçka për Vllazninë. Unë shpresoj shumë që problemet që ajo ka patur, t’i ketë lënë prapa në vitin 2015 dhe tani gjërat të jenë si duhet. Ndaj Skënderbeut kuptohet që është e vështirë megjithatë luajmë 11 përballë 11 dhe do të tentojmë të marrim një rezultat sa më pozitiv në këtë takim të parë. Edhe për kampionat jam i bindur se Vllaznia ka për të arritur objektivat që ka”- është shprehur mbrojtësi i sapoardhur. Në seancën e sotme ka qenë I pranishëm vetëm mesfushori kosovar Prekopuca I cili është në provë dhe ndonëse u fol për ardhjen e disa lojtarëve të huaj, kjo nuk ka ndodhur. Për momentin, nuk ka ndonjë të re tjetër sa I takon merkatos së kuqebluve.

© vllaznia.al