Fusha sportive “Reshit Rusi” tani me sistem ndriçimi

261

Fusha sportive “Reshit Rusi” shumë shpejt do të ketë sistem ndriçimi. Ka përfunduar vendosja e tetë shtyllave që do të bëjnë të mundur këtë gjë ndërsa ka mbetur për t’u bërë vendosja e projektorëve që do kryhet shumë shpejt. Sipas përgjegjësit të Akademisë Vllaznia, Ismet Hoxha ky është një investim I klubit shkodran në bashkëpunim me donatorë të ndryshëm. “Po bëhet një punë e madhe teksa do vihet shumë shpejt në funksion të plotë sistemi i ndriçimit në fushën sportive “Reshit Rusi”. Ka qenë mëse e domosdoshme sepse sidomos gjatë kësaj periudhe, stërvitja e ekipeve të Akademisë shpeshherë ka dështuar si pasojë e kohës së pakët që ato kishin në dispozicion. Me vendosjen e dritave, tashmë do ketë më shumë kohë dhe gjithçka do shkojë mirë. Ky është një investim i rëndësishëm i Klubit Vllaznia në bashkëpunim me disa donatorë, miq të futbollit dhe të klubit tonë”- ka thënë ai.Por sipas Ismet Hoxhës, shumë shpejt, pas mbylljes së sistemit të ndriçimit pritet që të ketë një tjetër investim në fushën sportive “Reshit Rusi” teksa sërish në bashkëpunim me donator të ndryshëm, do të bëhet e mundur edhe zgjerimi I dhomave të zhveshjes ngaqë do ndërtohen të tjera ambjente në katin e dytë të ndërtesës aktuale. “Me të mbaruar sistemi i ndriçimit, sërish në bashkëpunim me donatorë të ndryshëm, kemi në plan të ndërtojmë katin e dytë tek dhomat e zhveshjeve që do shërbejë për zyra dhe ambjente të tjera, po ashtu do ketë edhe një tribunë të vogël për personalitetet që do ndjekin ndeshjet”- ka thënë Hoxha. Në këtë mënyrë, në fushën sportive “Reshit Rusi” po përmirësohen kushtet e stërvitjes për ekipet e moshave. Fillimisht tapeti, tashmë sistemi I ndriçimit dhe në të ardhmen edhe dhomat e tjera, do të bëjnë të mundur përmirësimin e punës edhe tek të gjitha ekipet e Akademisë Vllaznia.
© vllaznia.al