Grabova: Vllaznia s’është ekip prove. Do vijnë lojtarë të rëndësishëm

218

Ditët e fundit kanë mbërritur në Shkodër shumë futbollistë, kryesisht të huaj të cilët kanë ardhur për provë tek Vllaznia. Kjo situatë ka shkaktuar njëfarë rrëmuje në skuadër sepse edhe niveli i lojtarëve të ardhur lë shumë për të dëshiruar. Në një moment të tillë, kanë ndërhyrë dy drejtuesit e lartë të klubit, presidenti Roberto Nava dhe administratori Ardian Grabova. Ka qenë pikërisht ky i fundit që ka folur në emër të numri 1 të klubit duke thënë: “Të them të drejtën është shkaktuar një situatë aspak e këndshme. Kanë ardhur tek Vllaznia lojtarë pa asnjë lloj CV-je dhe kjo është e papranueshme për ne. Në rrethana të tilla, edhe në emër të presidentit Nava më duhet të ngre zërin për të thënë se Vllaznia nuk është ekip prove për futbollistët. Ajo që ka ndodhur, ka ndodhur. Futbollistët e ardhur kanë afat vetëm 24 orë për të bindur stafin teknik nëse duan të qëndrojnë ndryshe do largohen të gjithë pa përjashtim. Ne në ditët e ardhshme do të sjellim lojtarë shumë cilësorë. Po ju konfirmoj faktin se do të vijë një mbrojtës bosnjak me shumë përvojë e pas tij edhe të tjerë lojtarë të mëdhenj. Vllaznia dhe tifozët e saj të mrekullueshëm meritojnë një ekip cilësor dhe jo lojtarë të një niveli më të ulët se ai mesatar”. Merr fund akthi i drejtuesve të kompanisë “Gea Sport”. Këta të fundit tashmë janë më të qetë sepse paraditen e sotme prefekti Paulin Radovani ka firmosur akt- marrëveshjen në mes Bashkisë Shkodër dhe kompanisë zviceriane “Gea Sport”. Prefekti e kishte premtuar një gjë të tillë dhe sot gjithçka është mbyllur ashtu si duhet teksa është hedhur firma e shumëpritur. Që do të thotë se tashmë edhe zyrtarisht pala zviceriane ka marrë në dorë administrimin e klubit shkodran. Për dy vitet e ardhshme klubi shkodran tashmë do të administrohet nga kjo kompani, drejtuesit e së cilës kanë bërë shumë premtime.

www.vllaznia.al