Gurishta, Vecaj e Hebaj thirren në kombëtaren U-21

230

Plot tre futbollistë të ekipit të Vllaznisë janë thirrur në kombëtaren U-21 nga ana e trajnerit të saj Redi Jupi për ndeshjen që ajo do të zhvillojë më datë 10 tetor në Izrael. Kështu, përveç mbrojtësit Erdenis Gurishta që ka qenë rregullisht pjesë e këtij ekipi kohët e fundit, këtë herë janë ftuar edhe mesfushori Uendi Vecaj dhe sulmuesi Rubin Hebaj. Për ta, kjo është ftesa e parë që u bëhet nga stafi i kësaj kombëtareje dhe natyrisht që është një vlerësim për ta kur kujtojmë se njëri është vetëm 19 vjeç dhe tjetri 18 vjeç. Megjithatë, lojërat e mira që janë duke zhvilluar me ekipin e parë të Vllaznisë kanë qenë shtysë që trajneri Jupi t’i thërrasë për këtë ndeshje. Të tre futbollistët, menjëherë pas kthimit nga Korça ku do të jenë pjesë e skuadrës shkodrane në ndeshjen me Skënderbeun, do të shkojnë në grumbullim me ekipin Shpresa.

© vllaznia.al