Isuf Isufi dorëhiqet nga posti i zëvendëspresidentit

214

Zëvendëspresidenti i Vllaznisë Isuf Isufi mesditën e djeshme ka marrë vendimin përfundimtar. Atë të largimit nga klubi shkodran. Tek ai i cili, për tre muaj me rradhë dhe deri dje, ka mbajtur postin e zëvendëspresidentit, i propozuar pikërisht nga kompania “Gea Sport”. Megjithatë, ish- numri 2 i klubit kishte paralajmëruar edhe një gjë tjetër, atë të qëndrimit sërish tek Vllaznia edhe nëse largohej kjo kompani duke financuar vetë ai dhe disa miq të tij. Kjo do bëhej në kompromis me drejtuesit e Bashkisë megjithatë ditët e fundit, gjërat kanë marrë rrjedhë tjetër. Prandaj, në orën 13.00 ka lajmëruar të gjithë futbollistët shkodranë të ekipit (jo të huajt dhe as stafin teknik) dhe i ka falenderuar për marëdhëniet dhe bashkëpunimin që kanë patur, u ka bërë vendimin e tij për t’u larguar. Këtë vendim pastaj e ka bërë të ditur zyrtarisht edhe para mediave kur ka thënë: “Jam sot para jush për të deklaruar dorëheqjen time nga posti i zëvendëspresidentit të Vllaznisë. Arsyeja pse mora këtë vendim ka të bëjë me atë se kohët e fundit situata nuk ka qenë e mirë dhe natyrisht që duhej ndërhyrë. Por unë nuk kisha të drejtë vendimmarrje. Për këtë arsye, më mirë është që të largohem. E kam thënë edhe në konferencën time të parë për shtyp që sapo të shoh se gjërat nuk do funksionojnë në rregull, do jem i pari që do largohem prandaj po e ndërmarr këtë hap sot. Shpresoj që të jetë në të mirë të Vllaznisë”. Këto momente kanë qenë të vështira për Isufin. Ai në tre muajt e qëndrimit pranë klubit shkodran, ka shpenzuar nga ana financiare, por më shumë nga koha e tij për t’i qëndruar pranë skuadrës, stafit dhe futbollistëve. E për këtë ai ndjehet mirë duke thënë: “Besoj se i kam qëndruar pranë kësaj skuadre. Kemi arritur të marrim 11 pikë dhe ndoshta mund të kishim marrë edhe më shumë. E rëndësishme është që largohem krenar për atë që kam bërë”. Në takimin e djeshëm me futbollistët shkodranë të ekipit, Isufi ka patur edhe një këshillë për ta por edhe pasardhësit e tij. “Jam krenar që kam punuar me këta djem shkodranë të cilët i kam mbajtur unë në skuadër. Do ta këshilloja pasqardhësin tim që të bënte maksimumin për të sjellë në skuadër të gjithë lojtarët që luajnë nëpër ekipet e tjera. Vllaznia mund të bëhet vetëm me shkodranë dhe jo me futbollistë të huaj që vijnë sa për të kaluar rradhë”.  Me largimin e Isufit, i hapet rrugë plotësisht mbajtjes së klubit shkodran vetëm nga Bashkia Shkodër. Strukturat e klubit janë dhe tashmë ato do karikohen edhe më shumë për të rregulluar gjërat që nuk shkojnë në skuadër.
© vllaznia.al