Kalaja: Goli ndaj Skënderbeut shkon për familjen dhe Shkodrën time

230

Me golin që shënoi pasditen e së shtunës ndaj Skënderbeut, I ka dhënë fitoren Vllaznisë dhe natyrisht që Arlind Kalaja ndjehet I kënaqur për këtë gjë. Në prononcimin e tij për mediat, ai këtë gol ia dedikon familjes së tij që e ka mbështetur vazhdimisht por nga ana tjetër, ka thënë se ka bërë vetëm detyrën dhe do të mundohet ta bëjë sa më mirë edhe në të ardhmen, pavarësisht se pozicioni ku po luan aktualisht, nuk është ai I duhuri për të. “Jam shumë i lumtur që ky goli im i parë në këtë takim, ishte kaq i rëndësishëm sa për t’i dhënë fitoren Vllaznisë dhe për më tepër ndaj një skuadre si Skënderbeu. Me këtë gol kam konkretizuar punën që skuadra ka bërë gjatë gjithë kësaj periudhe dhe sigurisht që kjo fitore vlen shumë. Ky gol shkon për familjen time  dhe për gjithë Shkodrën dhe i them se do të bëjmë maksimumin të gjithë djemtë e ekipit për ta çuar emrin e Vllaznisë aty ku i takon. Duke pasë parasysh punën që bëjmë çdo ditë dhe motivimin që na jep trajneri, jam i bindur se do të shkojmë më lart. Normalisht që nuk jam duke luajtur në pozicionin tim të preferuar por “unë jam ushtar dhe bëj atë që më thotë trajneri”. Sa i takon kontakteve të mia me Pescarën, dua të them vetëm se për momentin jam i përqendruar të bëj më të mirën për Vllazninë, sepse duke bërë këtë gjë, ekipet jashtë vendit nuk kanë për të qenë shumë larg”- ka thënë ai. Kalaja është vetëm 20 vjeç dhe natyrisht që ka të ardhme përpara megjithatë I duhet të punojë shumë sepse tashmë sytë e tifozëve por edhe të stafit teknik janë të përqendruar tek ai dhe goli ndaj Skënderbeut nuk duhet të jetë I vetmi për të.

© vllaznia.al