Klubi i Futbollit Vllaznia akordon premio edhe për barazimin në Lushnjë

240

Klubi i Futbollit Vllaznia ka akorduar një premio prej 2 milionë lekësh (të vjetra) edhe për rezultatin e tretë pozitiv rradhazi që skuadra kuqeblu ka arritur. Bëhet fjalë pikërisht për barazimin e arritur në stadiumin “Roza Haxhiu” ditën e shtunë ndaj Lushnjës vendase. Ndonëse ka qenë një ndeshje ku fitorja duhej të kishte qenë e Vllaznisë por e mohuar kjo nga gjyqtari i ndeshjes Lorenc Jemini, sërish drejtuesit e klubit e kanë konsideruar rezultat pozitiv edhe pikën e marrë. Ajo vjen pas dy fitoreve rradhazi me Kukësin dhe Tiranën, duke bërë që skuadra jonë të renditet në vendet e para të tabelës së klasifikimit. Por nëse bëjmë të ditur se skuadrës i është akorduar dhe shpërndarë shpërblimi i fundit, ajo që na bën përshtypje është se në media të ndryshme flitet për “donacione të fsheshta” të klubit Vllaznia. I kujtojmë kësaj mediaje por edhe të tjerëve që nuk kanë shumë informacion, se Klubi i Futbollit Vllaznia nuk ka asnjë donacion të fshehtë. Ai funksionon si shoqëri aksionere prej më tepër se dy vitesh dhe duke qenë i tillë, të gjithë të ardhurat dhe shpenzimet janë të bëra publike në çdo moment për të gjithë. Sqarojmë se shpërblimet që klubi ka dhënë për rezultatet pozitive të ekipit në ndeshjet e fundit, kanë ardhur nga të ardhurat që ai ka si nga kontratat e reklamave që janë të firmosura në mënyrë ligjore me kompani dhe biznese të ndryshme për reklamimin e produkteve të tyre në ambjentet e stadiumit “Loro Boriçi”, ashtu edhe nga të ardhurat e biletave të ndeshjeve që luhen në Shkodër.
© vllaznia.al