Klubi vendos: Vllaznia- Partizani, hyrja për tifozët do jetë pa bileta

245

Ndeshja Vllaznia- Partizani që do të luhet ditën e dielë në orën 13.00 në stadiumin “Loro Boriçi”, konsiderohet shumë e rëndësishme për skuadrën tonë. Në rrethana të tilla, nisur edhe sugjerimet e shumë dashamirësve të Vllaznisë, drejtuesit e klubit kanë rënë dakord që të vendosin për një hyrje të lirë- pa bileta, të tifozëve në këtë ndeshje. Kjo bëhet me qëllim për t’i ofruar edhe më shumë ato me ekipin në këtë moment shumë të rëndësishëm të kampionatit. Kuqeblutë kanë nevojë për mbështetjen e tifozëve dhe duke qenë më të shumtë në numër këtë të dielë, ato mund të jenë një shtysë më shumë për arritjen e fitores. Në fakt mbështetja e tifozëve nuk ka munguar. Grupimi “Vllaznit Ultras” ka qenë prezent edhe në Krujë për të mbështetur ekipin dhe natyrisht që do jetë edhe në ndeshjet e ardhshme. Futbollistët dhe stafi drejtues i kanë bërë thirrje të gjithë dashamirësve të këtij ekipi, për të qenë në stadium të dielën dhe për të kontribuar në arritjen e një fitoreje, që do ishte fitore shprese për skuadrën. Hyrja pa bileta do jetë një nxitje më tepër për to për të qenë të shumtë.

© vllaznia.al