Klubi Vllaznia, 10 milionë lekë premio për fitoren në Laç

233

Rëndësia e ndeshjes së sotme në Laç ka qenë mjaft e madhe për vazhdimësinë e mëtejshme të Vllaznisë në kampionat. Pikërisht për këtë, drejtuesit e klubit kishin vendosur një premio “të majme” për skuadrën në rast fitoreje. Vlera e kësaj premioje ka qenë plot 10 milionë lekë. Ajo u është deklaruar futbollistëve para ndeshjes nga ana e drejtorit sportiv Armir Grima pas vendimit të marrë bashkë me administratorin Fatos Gjyrezi. Pikërisht kjo premio, duket se i ka motivuar edhe më shumë lojtarët në fushën e lojës të cilët duhet pranuar se kanë zhvilluar një 90 minutësh shumë të mirë pasditen e sotme në Laç. Në këtë mënyrë, pas arritjes së kësaj fitoreje, pikërisht ditën e nesërme pritet që në numrat e llogarisë së çdo futbollisti, të kalojë edhe shumë përkatëse që do të përfitojnë nga ndarja e kësaj premioje. Në këtë mënyrë, klubi shkodran edhe njëherë tjetër vazhdon të jetë pranë skuadrës për ta shpërblyer me premio të konsiderueshme sa herë që ajo arrin rezultate pozitive. Fitorja e sotme përveçse e ndikuar nga 10 milionë lekët e premios, sigurisht që i dedikohet edhe ardhjes së trajnerit Haxhiosmanoviç që duket se ka sjellë tjetër motivim të futbollistëve në fushën e lojës.

© vllaznia.al