Klubi Vllaznia dhe trajneri Canaj zgjidhin me mirëkuptim kontratën e bashkëpunimit

217

Klubi i Futbollit Vllaznia bën me dije se paraditen e sotme është analizuar situata në të cilën po kalon skuadra jonë dhe në këtë analizë, ku kanë marrë pjesë drejtuesit më të lartë të klubit, kryetari i Bashkisë Shkodër dhe njëkohësisht president i Vllaznisë, z. Lorenc Luka, administratori Fatos Gjyrezi dhe drejtori sportiv Armir Grima, ka qenë i pranishëm edhe trajneri Agim Canaj. Ky i fundit që pas ndeshjes së fundit me Besën të mbyllur në barazim 0-0, deklaroi për mediat se mund të largohej nga drejtimi i skuadrës nëse ata e shikonin të arsyeshme këtë gjë. Në fakt, në bisedën mes tij dhe kryebashkiakut Luka sot, është diskutuar me shqetësim situata e krijuar dhe në fund është arritur në konkluzionin se diçka duhet ndryshuar. Për këtë arsye, me mirëkuptimin e dy palëve, është rënë dakord që të ndërpritet kontrata e bashkëpunimit në mes Klubit të Futbollit Vllaznia dhe trajnerit Agim Canaj. Megjithatë, kryebashkiaku Luka e ka vlerësuar trajnerin në fjalë për seriozitetin dhe ndershmërinë e treguar në punë gjatë këtyre muajve në drejtim të skuadrës. Po ashtu edhe z. Canaj ka falenderuar z. Luka dhe drejtuesit e tjerë të klubit për bashkëpunimin e mirë që kanë patur por futbolli i tillë është dhe kur nuk ka rezultate, dikush duhet ta pësojë. Me kaq është mbyllur edhe kapitulli i këtij trajneri në krye të skuadrës sonë. Shqetësim tjetër për drejtuesit e klubit është e ardhmja dhe ndryshimi i situatës. Për momentin, skuadrën do ta drejtojnë stafi aktual sëbashku me drejtorin sportiv Armir Grima, ndërkohë që gjatë këtyre ditëve do bisedohet me trajnerë të tjerë të cilët mund të marrin përsipër nxjerrjen e Vllaznisë nga situata ku ndodhet aktualisht.

© vllaznia.al