Kryebashkiaku Luka pritje të posaçme për ekipet e Akademisë Vllaznia

268

Kryetari I Bashkisë Shkodër Lorenc Luka, ka vijuar pritjet në zyrën e tij për ekipet kampione të Vllaznisë. Pas atij të futbollit të femrave dhe të basketbollit, paraditen e sotme rradha ka qenë për ekipet e 19 dhe 17 vjeçarëve të Akademisë Vllaznia që sapo janë shpallur kampionë të vendit. Në fjalën e tij përshendetëse, kryebashkiaku Luka ka falenderuar sportistët dhe stafin drejtues për suksesin e arritur dhe u ka premtuar edhe më shumë mbështetje për të ardhmen. “Jemi krenarë për ju, për suksesin tuaj por mbi të gjitha për garancinë që na jepni për të ardhmen. Me suksesin tuaj, na rregulluat diçka në atë që nuk mundëm dot ta realizojmë me ekipin e parë por ju duhet të vazhdoni punën dhe sa më shpejt të jeni tek të rriturit për të treguar vlerat tuaja. Mendoj se ndihma jonë ndaj jush do të vazhdojë dhe njëkohësisht dua të falenderoj edhe familjet tuaja për përkushtimin që kanë shfaqur ndaj jush, dua të falenderoj stafin drejtues shumë profesionist që ka punuar me ju dhe po ashtu edhe drejtuesit e tjerë të klubit që ju kanë qëndruar shumë afër”- u është drejtuar kryebashkiaku Luka futbollistëve të Akademisë Vllaznia të saposhpallur kampionë.
Nga ana tjetër, drejtuesit e klubit Armir Grima dhe Qashif Hoxha, kanë falenderuar edhe kryetarin e Bashkisë për mbështetjen dhe ka garantuar se do të vazhdojë puna për nxjerrjen e elementëve cilësorë për ekipin e parë pavarësisht se ka ende shumë gjëra për të rregulluar. Kanë folur edhe mjeshtri I merituar I sportit Ramazan Rragami, inspektori I Akademise Ismet Hoxha, trajnerët Luan Zmijani dhe Alban Hasani por edhe kapitenët e ekipeve, Erdenis Gurishta dhe Denis Balaj. Sigurisht që të gjithë kanë vlerësuar punën që bëhet tek Akademia Vllaznia e cila mbetet model në Shqipëri me mënyrën e të punuarit.
© vllaznia.al