Kryebashkiaku Luka shmang problemet: S’ ka shkarkime. Vllaznia po ecën mirë

195

Pavarësisht debateve në distancë në mes presidentit të Vllaznisë Roberto Nava, trajnerit Baldo Raineri dhe administratorit Neritan Kalamishi, kryetari i Bashkisë Shkodër, Lorenc Luka, është shprehur sot në lidhje me gjithë kete situatë të rrëmujshme që ka pushtuar kuqeblutë të paktën siç duket në media. I pyetur nga gazetarët në lidhje me këtë çështje, ai ka bërë thirrje për qetësi.

“NUk po e filloj përgjigjen time nga ajo çfarë ju pyesni. Po e nis nga ecuria e skuadrës në këto javë të para. Futbollistët janë treguar të mrekullueshëm, stafi ka bërë një punë shumë të çmuar për të cilat sot ne kemi rezultate të prekshme. Mos harroni se e kemi nisur punën me vonesë dhe po ashtu edhe me -3 pikë. Duke analizuar këto fakte, sot Vllaznia duhej të kishte qenë në vendet e para të renditjes. Prandaj thashë ia vlen të merremi më shumë me këtë punë të bërë dhe përgjegjësinë e marrë nga palët sesa me gjërat e tjera. Ne kemi bërë takime me djemtë e ekipit dhe me stafin dhe i kemi siguruar që do jemi gjithnjë pranë tyre për t’i mbështetë dhe për të përmbushur detyrimet që kemi ndaj tyre, edhe nëse dikush nuk po reflekton atë përgjegjësi, atë ndjeshmëri që duhej të ishte evidentuar deri më tash. Jemi të kujdesshëm, jemi të matur dhe të gjithë hapat që do hidhen, uroj që të jenë hapa që ta forcojmë sa më tepër Vllazninë si nga ana financiare dhe ashtu edhe administrative. Por ju bëj me dije se askush nuk mund të privatizojë Vllazninë por duhet të respektojë atë pjesë esenciale, thelbësore siç është kontrata e nënshkruar mes palëve. Unë nuk bëj analiza artikujsh, nuk bëj analiza të deklaratave emocionale të momentin por vlerësoj atë që është e prekshme dhe besoj se e gjithë tifozëria shkodrane e vlerëson këtë situatë optimiste që po kalojmë aktualisht”- ka thënë zoti Luka. I ngacmuar më tej nëse vërtetë do ketë ndonjë largim të administratorit Kalamishi apo të trajnerit Raineri, siç ka thënë presidenti Nava nëpër media, kryebashkiaku Luka ndonëse nuk është përgjigjur drejtëpërdrejtë, ka lënë të kuptohet se nuk është momenti i duhur për të bërë këto veprime. “E përsëris nuk merrem me deklarata emocionale, të momentit. Nganjëherë edhe largësia nuk krijon atë ndjesi të drejtëpërdrejtë që në raste të tilla duhet të jetë më e prekshme për ato lojtarë që po derdhin djersë, për ato teknikë që po punojmë me përkushtim. Prandaj bëj thirrje se gjithësecili duke filluar nga vetja, duhet të ketë

më shumë vetëpërmbajtje dhe një angazhim më të madh për të mbështetur të gjitha strukturat e klubit të futbollit Vllaznia”- ka shtuar kryebashkiaku. I pyetur sërish nëse kompania “Gea Sport” e ka zbatuar deri tani kontratën e firmosur me Bashkinë Shkodër, z. Luka është përgjigjur: “Të gjitha kontratat jemi pjesë e një interpretimi juridik dhe për të mos u penalizuar ne apo ato, po tregohemi të përmbajtur për të bërë një analizë juridike të gjithë këtij procesi. Ajo që është më e rëndësishme për të gjithë ne, më së shumti për tifozët, besoj se është Vllaznia dhe prandaj të gjithë ne dhe sidomos komunitetit i biznesit t’i japin një suport kësaj skuadre për vazhdimësinë sepse Vllaznia është një vlerë e çmuar e këtij qyteti”. Për ta vërtetuar se gjërat tek Vllaznia po shkojnë mirë, kryebashkiaku Lorenc Luka ka bërë të ditur se ditën e djeshme ekipi ka marrë rrogat dhe tashmë duhet parë përpara dhe jo të merren me debate të kota.

 

© vllaznia.al