Kupa e Shqipërisë për femra në Shkodër. Vllaznia pretendente

212

Do të startojë të shtunën Kupa e Shqipërisë për sezonin 2013-14 në futboll për femra. Këtë vit, të gjitha ndeshjet e këtij kompeticioni të rëndësishëm, do të zhvillohen në qytetin e Shkodrës. Kërkesa e bërë nga ana e klubit Vllaznia në bashkëpunim edhe dy ekipet e tjera të Shkodrës, Juban Danja e The Door, ka gjetur aprovimin e Federatës Shqiptare të Futbollit e cila ka dhënë aprovimin e zhvillimit të këtyre ndeshjeve në qytetin tonë. Këtë fundjavë, do të luhen ndeshjet çerekfinale. Ato do të zhvillohen në fushën sportive “Reshit Rusi”, të ndara në dy ditë, të shtunën dhe të dielën. Ditën e shtunë do zhvillohen takimet Tirana AS- The Door në ora 11.00 dhe Juban Danja- Apolonia në orën 13.00. Një ditë më pas, do të zhvillohen dy takimet e tjera, Vllaznia- Dajti në orën 11.00 dhe Kinostudio- Shkëndia e Durrësit në orën 13.00. Ndërkohë të shtunën tjetër pastaj, atë të parën e muajit shkurt, do të zhvillohen ndeshjet gjysmëfinale teksa fituesja e Vllaznia- Dajti do të ndeshet me fituesen e çiftit Tirana AS- The Door. Nga ana tjetër, fituesja e çiftit Juban Danja- Apolonia, do të ndeshet me fituesen e çiftit Kinostudia- Shkëndia D. Finalja pastaj do të luhet me shumë të ngjarë në stadiumin “Loro Boriçi” me datë 8 shkurt. Në bazë të ecurisë së skuadrave gjatë gjysmës së parë të sezonit, mendohet që pretendentja kryesore për të fituar edhe titullin kampion këtë sezon, të jetë Vllaznia. Skuadra e drejtuar nga trajneri Selami Pepaj ka bërë gjithçka mirë deri tani ndërkohë që presidenti Lazer Matija vazhdon te shpenzoje per ndertimin e nje skuadre edhe me te forte duke marre te tjera futbolliste ne skuader. Me shumë të ngjarë, finalja e sivjetme do jetë sërish një sfidë Vllaznia- Juban Danja megjithatë duhet pritur deri në fund.

© vllaznia.al