Maxhar: Tirana e fortë, por do luajmë për fitore ndaj saj

261

Ndeshja e së dielës në Laç ndaj Tiranës konsiderohet shumë e vështirë në kampin shkodran sepse përballë do të kenë një nga ekipet më në formë për momentin të kampionatit. Tek Vllaznia megjithatë ka optimizëm për një paraqitje të mirë dhe rezultat pozitiv. Zëvendëstrajneri Aleksandar Maxhar, në një prononcim për mediat, është shprehur se nëse do të firmosej që sot, ai do ishte dakord me një barazim. “Kuptohet që nëse do të kishim sot në dorë një marrëveshje për ta ndarë ndeshjen në barazim, unë personalisht do ta firmosja menjëherë. Por kjo nuk do të thotë se në fushë do të kemi vetëm këtë objektiv. Ne do të luajmë për ta fituar atë. Kundërshtari është shumë i fortë. Unë sigurisht që kam respekt për të dhe për këtë arsye, na duhet të bëjmë shumë kujdes. Pavarësisht kësaj, Vllaznia besoj se ka për t’u paraqitur ashtu si duhet në këtë takim”- është shprehur malazezi i pankinës shkodrane.Sipas tij, të luajturit në Laç është një avantazh për kuqeblutë që do të tentojnë të marrin më të mirën e mundshme nga ky ballafaqim I javës së fundit të fazës së parë të kampionatit. “Natyrisht që është disi më e lehtë për ne, ta luajmë këtë ndeshje në Laç. Nëse do ta kishim luajtur në Tiranë, vështirësitë për marrjen e një rezultati pozitiv do të kishin qenë më të mëdha por, kuptohet se faktori fushë nuk është gjithçka në ndeshje të tilla”- ka shtuar Maxhar. Për takimin e nesërm, stafi teknik I Vllaznisë nuk do të ketë të gatshëm për arsye dëmtimesh futbollistët Bicaj, Pepa e Kapaklija megjithatë me pjesën tjetër të futbollistëve do të tentojë të zhvillojë një ndeshje të mirë dhe të mos kthehet pa pikë nga Laçi. Këtë thotë edhe krahu i djathtë i Cungut në lidhje me mungesat: “Janë disa lojtarë që ditët e fundit kanë shfaqur probleme me dëmtimet por ne besojmë tek kontigjenti tjetër i lojtarëve që kemi në dispozicion për të marrë rezultatin që dëshirojmë. Hoxha mund të jetë një risi e formacionit sepse në 2-3 ndeshjet e fundit ka dhënë shenja pozitive kur është aktivizuar dhe për këtë arsye, mund t’i besojmë një vend titullari nesër”.
© vllaznia.al