Minifutboll: Vllaznia eliminohet në gjysmëfinale nga Edro Vlora

211

Vllaznia e minifutbollit nuk ka arritur dot të kalojë në finale të Kupës së Shqipërisë. Pasi kishte mundur Flamurtarin me rezultatin 3-1 në çerekfinale, shkodranët në turin gjysmëfinal janë ndeshur me ekipin tjetër vlonjat, pikërisht Edro Vlorën. Ndeshja është zhvilluar pasditen e së mërkurës në pallatin e sportit “Tomorr Sinani” të Elbasanit. Kuptohet që skuadra e drejtuar nga trajneri Ardit Behari ka patur pretendimet e veta por në fakt ndeshja e zhvilluar nuk ka lënë asnjë shpresë për kalimin në finale. Kundërshtari i tyre ka luajtur shumë më mirë dhe për rrjedhojë ka fituar me rezultatin e thellë 5-1. Në këtë mënyrë ndeshja finale e Kupës së Shqipërisë për këtë sezon, do të jetë ajo Edro Vlora me Ali Demin, ndeshje kjo që do të zhvillohet ditën e dielë po në Elbasan. Humbja e djeshme e Vllaznisë sigurisht që është një tregues se për të patur pretendime në fazën e dytë të kampionatit, presidentit të këtij ekipi Zyhdi Rrashketa, i duhet të bëjë ndërhyrje në merkato. Gara konsiderohet e fortë dhe për të qenë në mes katër ekipeve që do shkojnë në fazën e plej- ofit, duhen të tjerë lojtarë. Mbase, marrja e ndonjë futbollisti nga Mali i Zi, do jetë një zgjidhje megjithatë kjo duhet parë. Drejtuesit e këtij ekipi me shumë siguri në ditët e ardhshme do të zhvillojnë një analizë të zgjeruar të gjysmës së parë të sezonit, për të nxjerrë anët e mira dhe më së shumti, ato që duhen rregulluar për të ardhmen sepse objektivi i Vllaznisë në minifutboll është për të luajtur për trofe këtë sezon.
© vllaznia.al