Ndriçim Shtubina: Më mirë që s’jemi nisur si pretendentë

70

Kanë gëzuar të gjithë por më së shumti ka gëzuar ai për golin e parë të shënuar pasditen e së mërkurës në stadiumin “Loro Boriçi”. Ndriçim Shtubina kthehet të flasë si protagonist pikërisht pas kësaj fitoreje dhe pas golit të tij, i pari për të në këtë kampionat.“Goli që shënova ishte I rëndësishëm sepse zhbllokoi rezultatin. Ka qenë një fitore e bukur dhe besoj se jemi në rrugë të mbarë. Mbase fitorja duhej të kishte qenë shumë më e thellë nisur nga rastet e shumta që patëm. Megjithatë duhet të vazhdojmë në këtë mënyrë. Na pret një ndeshje shumë e vështirë si ajo e Lushnjës dhe ne duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë. Nuk duhet të mendojmë kurrsesi se kemi arritur gjithçka me dy fitoret ndaj Kukësit dhe ndaj Tiranës por duhet të vazhdojmë të punojmë fort”- ka thënë ai pas ndeshjes. Në fakt, mesfushori shkodran nuk e luajti deri në fund ndeshjen me bardheblutë. Në fund të pjesës së parë ai i ka lënë vendin Bardullës. I pyetur për këtë zëvendësim, ai ka saktësuar: “Kam ndjerë një shqetësim në pjesën e prapme të kofshës dhe ishte një lloj tërheqje megjithatë gjërat nuk duken aq problematike dhe besoj se do të jem në Lushnjë”. I pyetur ndërkohë për këtë nisje që Vllaznia i ka bërë kampionatit, Shtubina thotë se më mirë që ajo nuk është nisur si pretendente. “Më mirë kështu që nuk jemi nisur si pretendentë sepse mund të arrijmë të bëjmë gjëra të mira në këtë kampionat duke mos qenë shumë në presion për arritjen e rezultateve” – ka thënë Shtubina.
© vllaznia.al